Plenkoviq: Edhe pas 33 vitesh Palestina nuk e ka njohur Kroacinë

  • A.P /
  • 05 December 2025 - 09:30
Plenkoviq: Edhe pas 33 vitesh Palestina nuk e ka njohur Kroacinë

Kroacia mbështet një zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën, dhe sa i përket njohjes së Palestinës, fakti është se as ajo nuk e ka njohur Kroacinë, tha kryeministri  kroat Andrej Plenkoviq, duke iu përgjigjur pyetjeve nga audienca pas një ligjërate në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ne e kuptojmë kompleksitetin e situatës, veçanërisht me luftën që filloi më shumë se dy vjet më parë. Fatkeqësisht, nuk kemi të dhëna që 33 vjet më parë ose më vonë Autoriteti Palestinez mori një vendim për të njohur Kroacinë”, tha kryeministri kroat, duke iu përgjigjur një pyetjeje nga ambasadori palestinez në Vatikan , Isa Kasisieh, nëse Kroacia do ta njihte Palestinën.

Ai tha se kishte kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ishte përcaktuar se kjo nuk kishte ndodhur.

“Nuk po kritikoj, thjesht po e them këtë si informacion që nuk duhet të nxirret nga konteksti”, tha Plenkoviq, siç raportojnë mediat në Kroaci.

Ai theksoi se Kroacia mbështet një zgjidhje me dy shtete.

“Qëndrimi i të gjitha qeverive kroate ishte dhe mbetet një zgjidhje me dy shtete”, theksoi ai.

Ai shprehu keqardhje për numrin e madh të viktimave civile në luftën që u shkaktua nga sulmi terrorist i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe tha se Kroacia dëshiron të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare në territoret palestineze.


(Kosova Sot Online)