Berisha: Kjo nuk është betejë për partinë, por për Shqipërinë

  • A.P /
  • 05 December 2025 - 14:00
Berisha: Kjo nuk është betejë për partinë, por për Shqipërinë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e PD-së në Mirditë deklaroi se beteja aktuale nuk është më për partinë, por për Shqipërinë. Ai e quajti qeverisjen aktuale “regjim” dhe “kalbësirë”, duke theksuar se, sipas tij, organizatat ndërkombëtare kanë konstatuar se zgjedhjet në vend nuk kanë qenë të lira, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Berisha u ndal edhe te vërejtjet e eurodeputetit Michael Gahler, i cili, sipas tij, ka thënë se krimi i organizuar pengon rotacionin e pushtetit në Shqipëri. Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama për manipulim të zgjedhjeve të vitit 2021 dhe mungesë përgëzimesh ndërkombëtare pas votimeve të fundit. Berisha tha se ligji dhe e drejta janë në anën e opozitës, duke i bërë thirrje demokratëve të nisin një betejë vendimtare për rikthimin e demokracisë.

FJALA E BERISHËS:

Një burrë i shquar, që ishte këtu vëzhgues, në Parlamentin Europian, Michael Gahler, u tha se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.
Pse i numërova këto. I numërova këto për të argumentuar se, me Edi Ramë nuk ka zgjedhje, por ama ndryshimi është shumë i madh.
Edi Rama i vodhi zgjedhjet në vitin 2021. Nuk i hyri ferra në këmbë, nuk i hyri gjë në këmbë. Edi Rama kësaj here mori damkosjen që meritonte. 

Të gjitha këto që thashë janë të gjitha të nxjerra nga raporti i ndërkombëtarëve.
Ndodhi që këtu erdhi një ditë një mikeshë e tij dhe tha që, zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Në nderin e institucionit që e përfaqësonte, të nesërmen e përgënjeshtroi ai institucion; jo tha, ne për zgjedhjet themi atë që thotë ODIHR.

Ndodh dhe tjetra. Nëqoftëse përpara zgjedhjet përgëzoheshin pa u numëruar kësaj here nuk ka marrë asnjë urim nga qeveria e SHBA, e as nga ndonjë qeveri tjetër. 
Por kur e pyetën gazetarët Departamentin e Shtetit, a e përgëzuar kryeministrin, jo, se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe direktiva e presidentit kërkon që të urohen vetëm ata që bëjnë zgjedhje të lira. 
Ku jemi ne sot, a na dëmton ne kjo, njohja e të vërtetës dhe realitetit? Jo, për të luftuar armikun ne duhet ta njohim mirë atë. 
A do mundet ky, vrasës i votës tonë, shkatërrimtar i këtij kombi, armik i Mirditës, armik i familjes shqiptare, të na mposhtë ne në përpjekjen tonë për të mbrojtur këto vlera? Jo kurrë. 

Ndaj dhe ne duhet të nisim betejën tonë vendimtare me këtë të keqe të madhe. Para Zotit dhe çdo shqiptari kemi faktuar se, ky ka vrarë votën e lirë në Shqipëri. Se në pushtet qëndron duke dhunuar votën dhe liritë tona.
Tani ligji është në anën tonë, e drejta është në anën tonë. Gjithçka do varet nga guximi ynë, gjithçka do varet nga forca jonë, nga mençuria jonë, nga riorganizimi ynë, nga konsolidimi i Partisë Demokratike, nga ripërtëritja e saj. 
Nuk është më betejë për partinë, është betejë për Shqipërinë, është betejë për familjen, është betejë për demokracinë. Ky regjim është një kalbësirë. por nuk bie. Jo. Ai bie kur t'i përvishemi ne. Ne duhet t'i përvishemi atij. Po t'ishte vota qenie politike, ai e vrau atë. Ai është në gjak me çdo shqiptar që do lirinë. Po. Votën respektoje ti. 

(Kosova Sot Online)