Bajrami: Qeverisja e VV-së hajninë më të madhe po e bën përmes faturave të energjisë

  • A.P /
  • 06 December 2025 - 13:05
Bajrami: Qeverisja e VV-së hajninë më të madhe po e bën përmes faturave të energjisë

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ekonomisë për “keqpërdorime milionëshe” në sektorin e energjisë, duke kërkuar transparencë të plotë dhe publikimin e kontratave të importit të energjisë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas LDK-së, Qeveria po tenton të mbulojë “gjetjet e rënda” që po dalin në publik, ndërsa ministrja Artane Rizvanolli dhe zyrtarët e tjerë nuk kanë dhënë, siç u tha, asnjë fakt për të kundërshtuar akuzat.

“Hajnia më e madhe që po u bëhet qytetarëve të Kosovës në këtë mandat është hajnia përmes faturave të energjisë elektrike”, duke shtuar se LDK-ja tashmë ka dorëzuar dëshmitë në Prokurorinë Speciale, e cila ka nisur hetimet.

“Hajnia më e madhe që po ju bëhet qytetarëve të Kosovës gjatë këtij mandati është hajnia përmes faturave të energjisë elektrike. Për shkak të gjetjeve dhe fakteve të publikuara këto ditë LVV-ja është në panik. Pas dështimit të konferencës së Armend Mujës, dje e keni parë që doli në konferencë tashmë e vetëquajtur ministre e ekonomisë, Rizvanolli, e cila nuk ishte në gjendje të zbatojë asnjë fakt, aq më pak të demantoj ndonjë prej fakteve që këto ditë i kemi shfaqur. Rizvanolli konferencën e nisi duke thënë që asnjë anëtar i VV-së nuk ka lidhje me EFT të Vukanoviqit. Lidhjet ia kemi lënë që t’i hetojë Prokuroria Speciale, e cila tashmë ka nisur hetimet dhe të dyja ne kemi deponuar dëshmitë tona për keqpërdorimet në sektorin e energjisë elektrike”, tha ajo.

Duke iu referuar deklarimeve të ministres një ditë më parë, Bajrami tha se janë krijuar dyshime serioze mbi importet e energjisë dhe rolin dominues të kompanisë EFT në tregun rajonal.

“Ajo gjithashtu tha që Kosova nuk importon energji elektrike nga EFT; Kosova shumicën e rasteve ka importuar energji nga NOA, por ajo që ne kemi thënë shihet qartë se EFT viteve të fundit e ka monopolizuar tregun e energjisë. EFT i ka fituar shumicën e ankandeve vjetore, mujore dhe ditore. Gjatë qeverisë së Kurtit 2021–shtator 2025, Kosova ka importuar 811 milionë euro energji elektrike; anashkalimi i EFT është gati i pamundur për shkak se ai bën rezervimin e kapaciteteve transmetuese dhe ka monopolin në këtë treg. Ish-ministrja tha se EFT i përdor këto kapacitete vetëm për tranzit, por të dhënat paraqesin diçka tjetër: kostot e transportit të energjisë për Kosovën rriten deri në 84 herë në ditë atëherë kur bien blloqet e KEK-ut”, tha ajo.

Ajo kërkoi publikimin e kontratave.

“Rizvanolli tha se EFT nuk ka asnjë kontratë me Kosovën, por ajo nuk po tregon se me kë ka kontrata. Nga këtu bëjmë thirrje Rizvanollit dhe institucioneve që t’i publikojnë kontratat, që të dimë se nga kush po blejmë energji, sa po blejmë energji, ku është origjina e energjisë që ne po importojmë dhe sa po paguan Kosova për kostot e transportit. Po kërkojmë që të publikohen kontratat”, tha ajo.

Ndërkohë, inxhinierja e LDK-së, Janina Ymeri, publikoi një sërë të dhënash teknike që, sipas saj, tregojnë për mospërputhje mes deklarimeve të ministres dhe realitetit në tregun rajonal të energjisë.

Ajo shtoi se të dhënat zyrtare nga vendet e përmendura si burime të importit nuk tregojnë eksport drejt Kosovës.

“Kapacitetet e larta transmetuese dhe çmimet e larta kanë vëmendjen ndërkombëtare; pra nuk po flasim për një rast që mund të manipulohet apo të gatuhet me grafika nga partia. Ky rast ka shkuar edhe në Komunitetin e Energjisë në Vjenë edhe në zyrën e rregullatorëve në Lubjanë. Tashmë hetimet janë në procedim e tutje dhe janë të konfirmuara edhe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Fillimisht, me të dhënat e Armend Mujës, sipas tyre tregohet se origjina ose importi i energjisë elektrike vjen nga Danimarka, Sllovenia, Shqipëria; ndërsa nëse shkojmë në të dhënat e vendeve përkatëse shihet se Agjencioni i Statistikave të Sllovenisë tregon se nuk ka eksportuar energji elektrike në Kosovë, gjithashtu edhe Danimarka. Edhe nga mundësitë fizike, potenciali nga vendet e ish-Jugosllavisë më së shumti ka Serbia dhe Bosnje-Hercegovina”, tha ajo.

Ymeri theksoi se edhe dokumentet qeveritare e mohojnë versionin e ministres.

“Në planin kombëtar për energji nga Zyra e Kryeministrit, këta e demantojnë edhe vetveten; shihet se rryma e ardhur nga viti 2022, 50 për qind ka qenë nga Serbia; gjithashtu këto përputhen edhe me bilancet energjetike të Serbisë ose operatorit transmetues atje. Ose janë të dhënat që sa vjen energji nga Serbia për vitin 2022, 2023 dhe 2024”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)