PZAP ka vendosur që ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

  • A.P /
  • 06 December 2025 - 13:45
PZAP ka vendosur që ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur që ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Përmes një vendimi të publikuar më 5 dhjetor, PZAP-ja tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ofruar “asnjë arsyetim” për refuzimin e rekomandimit për certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.

“... Pranohet rekomandimi i Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 2 dhjetor, certifikohet subjekti politik Lista Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme”, u tha në vendimin e publikuar më 5 dhjetor.

Sipas PZAP-së, vendimi i KQZ-së është “i mangët, jo i plotë dhe nuk i trajton çështjet dhe faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për certifikimin e subjektit politik”.

Ky panel tha se Lista Serbe ka plotësuar kushtet e parapara me ligj për pjesëmarrje në zgjedhje.

Lista Serbe përmes një njoftimi tha se është informuar zyrtarisht nga PZAP-ja se ka pranuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit “të paligjshëm” të KQZ-së.

“Kjo është edhe një fitore e vogël, por e rëndësishme e popullit serb”, tha Lista Serbe.

(Kosova Sot Online)