Lista Serbe me akuza për qeverisjen e ish-kryetarëve shqiptarë në Veri
“Gjendje e keqe në administratat komunale”, “zyra të shkatërruara” e “mungesa të dokumentacionit zyrtar", transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Këto janë disa nga çështjet që kanë vënë në dukje kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, në ditët e para pas marrjes së pushtetit.
Gjatë një bisede me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ata theksuan gjithashtu mungesën e mobiljeve bazë për zyrat – gjë që, siç thanë, e vështirëson dukshëm funksionimin normal të komunave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
“Gjatë bisedës u theksua nevoja për realizimin e një analize të detajuar ligjore dhe financiare të gjendjes së konstatuar, në mënyrë që, në periudhën e ardhshme, të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve të të gjitha komunave në veri të Kosovës dhe Metohisë”, tha përmes një komunikate Lista Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë.
Më herët u bë e ditur se janë shkarkuar drejtorët e mëparshëm të emëruar politikisht në departamente, dhe se emërimet e drejtorëve të rinj do të bëhen në ditët në vijim.
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj disa vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Më pas, në dy raste, ata iu bënë thirrje qytetarëve që t’i bojkotonin proceset zgjedhore.
(Kosova Sot Online)
