Vuçiq: Po presim përgjigje nga shërbimet ruse

  • a.p /
  • 17 December 2025 - 11:15
Vuçiq: Po presim përgjigje nga shërbimet ruse

Radomir Kurtiq, përfaqësuesi i prodhuesit shtetëror të armëve të Serbisë Jugoimport SDPR, është gjetur i vdekur në Moskë në një rrugë më 17 nëntor të këtij viti.

Për vdekjen e tij, të cilën shërbimet e sigurisë ushtarake serbe e konsiderojnë “të dyshimtë”, së fundi ka folur presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një emision të mediumit publik serb “RTS”.

Kur u pyet nëse kishte ndonjë informacion në lidhje me rastin e Kurtiqit, i cili u gjet i vdekur në Moskë në nëntor, Vuçiq tha se kishte më shumë informacion sesa ishte raportuar, por se nuk kishte informacion të mjaftueshëm dhe nuk donte të spekulonte.

Ai deklaroi se Kurtiq ishte përfaqësuesi i Jugoimport SDPR në mandatin e tij të dytë.

“Presim një përgjigje nga shërbimet ruse. Zyrtarisht, atyre u janë dërguar ftesa e kërkesa. Ne e dimë që disa hard disqe janë zhdukur, se disa gjëra të tjera janë zhdukur, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se ka të bëjë me vetë ngjarjet. Pra, mund të jetë edhe një veprim rutinë i ndonjë shërbimi, kur përcakton identitetin e dikujt në rrugë”, tha Vuçiq.

Më parë u raportua se autoritetet serbe kanë pritur që rusët të dërgojnë raportin e mjekësisë ligjore, por po bëhen gjithnjë e më të frustruara pasi nuk e kanë marrë një të tillë dhe as nuk u është thënë se kur mund ta presin atë.

Vuçiq shtoi se duhen zbuluar më shumë detaje dhe se pala serbe ende nuk ka marrë ndonjë gjetje mjeko-ligjore.

“Shpresoj se do ta marrim në periudhën e ardhshme. Do të luftoj që e vërteta të dihet. Ky është qytetari ynë, një qytetar shembullor dhe një njeri që punoi për shumë vite në një kompani të mirë serbe”, shtoi Vuçiq.

Ai theksoi se nuk donte të përhapte dyshime dhe teori konspirative rreth rastit.

“Imagjinoni mua të them se një burrë është vrarë, kur në fakt burri nuk është vrarë. Nuk mund ta them këtë derisa të zbuloj të vërtetën e plotë. Por ne jemi të shqetësuar për këtë, dhe jemi shumë të shqetësuar dhe do të përpiqemi të arrijmë në të vërtetën”,  theksoi ai.

Po ashtu, u raportua se kur përfaqësuesit serbë të kompanisë vizituan zyrat e saj në Moskë, ata zbuluan se mungonin shumë dokumente dhe disqe të forta.

(Kosova Sot Online)