Një vajzë rreth 12 vjeçe ka vdekur në rrethana ende të panjohura në spital
Një vajzë rreth 12 vjeçe ka vdekur në rrethana ende të panjohura në Spitalin Rajonal të Prizrenit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Klankosova se të enjten rreth orës 16:00, Stacioni Policor ka pranuar informatën për vdekjen e një pacienteje në Qendrën Emergjente – Repartin e Pediatrisë. Menjëherë pas njoftimit, patrullat policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Nga mjeku përgjegjës i repartit, në cilësinë e dëshmitarit, ishte konfirmuar se viktima ishte pranuar për trajtim më 17 dhjetor rreth orës 23:50, ndërsa një ditë më vonë, rreth orës 15:55, kishte vdekur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të Stacionit Policor Prizren, si dhe Njësia e Hetimeve Rajonale. Për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si hetim i vdekjes.
“Me datën 18.12.2025, rreth orës 16:00, Stacioni Policor Prizren ka pranuar informatën se një paciente kishte humbur jetën në rrethana ende të panjohura. Patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në Qendrën Emergjente – Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal në Prizren. Nga mjeku përgjegjës i repartit, në cilësinë e dëshmitarit, është marrë konfirmimi se viktima, gjinia femërore, rreth 12 vjeçe, ishte pranuar për trajtim më 17.12.2025, rreth orës 23:50, ndërsa më 18.12.2025, rreth orës 15:55, kishte ndërruar jetë”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente të Stacionit Policor Prizren, si dhe Njësia e Hetimeve Rajonale. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të inicohet si hetim i vdekjes dhe trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit. Rasti, për hetime të mëtejme, i është kaluar Hetimeve”, tha Bytyqi.
(Kosova Sot Online)
