Vëllai i Liridona Ademaj: U dëshmua që vrasja ishte e organizuar

  • A.P /
  • 22 December 2025 - 16:02
Vëllai i Liridona Ademaj: U dëshmua që vrasja ishte e organizuar

Pamjet e paraqitura në seancën e fundit gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës dëshmojnë se vrasja e motrës së tij ka qenë e planifikuar dhe e organizuar nga të tre të akuzuarit.

Vëllai i Liridona Ademajt,  Leonardi në një prononcim për media, theksoi se familja mbetet e shqetësuar për moslejimin e elaborimit të plotë të provave.

“Sot për ne nuk ishte një ditë e lehtë pasi që i pamë edhe videot e fundit të jetës së motrës sonë. Ajo se çfarë pamë në video sot ishte që tre të akuzuarit e kanë planifikuar vrasjen, pasi që e gjithë ngjarja ka ndodhur vetëm për 7 minuta. Pra nuk ishte një vrasje e pa planifikuar, por ishte e planifikuar mirë nga tre të akuzuarit. Ajo se çfarë pamë sot në këto pamje e qartësojnë mirë se Naimi së bashku me Kushtrimin janë organizatorët e vrasjes, ndërsa vrasësi i motrës sonë është Granit Plava”, tha ai.

Ai shtoi se një nga shqetësimet kryesore të familjes mbetet moslejimi i elaborimit të provave nga ana e tyre, duke vlerësuar se kjo është thelbësore për zbardhjen e plotë të rastit.

“Ajo se çfarë na brengosi sot ishte moslejimi i elaborimit të provave nga ana jonë. Pra ky elaborim i provave për ne është jetësor sepse e qartëson edhe më mirë rolin kyç të Kushtrim Kokallës, bashkëpunimin së bashku me Naimin dhe rrugëtimin e tyre. Pra ne do të kërkojmë përsëri nga gjykata që t’i elaborojmë provat sepse është e drejtë jetike, mendoj që me ato prova të cilat ne i kemi dhe që mendojmë që duhet të dalin, qartësohet edhe më mirë grupi i tyre i organizuar në mënyrë profesionale për vrasjen e motrës sonë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)