Policia jep detaje për shtatë raste që ndërlidhen me procesin zgjedhor

  • A.P /
  • 29 December 2025 - 11:05
Policia jep detaje për shtatë raste që ndërlidhen me procesin zgjedhor

Në raportin 24 orësh, Policia ka dhënë detaje për shtatë raste që ndërlidhen me procesin zgjedhor që u mbajt dje në Kosovë, 
transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në Drenas është iniciuar një rast “Cenim i fshehtësisë së votimit”.

“CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT- Gllogoc / 28.12.2025 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur. Me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.”

Në Gjilan është arrestuar një person i cili pasi e ka plotësuar fletëvotimin e ka ekspozuar atë.

“PENGIM I PROCESIT TË VOTIMIT & CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT- Gjilan / 28.12.2025 – 11:08. Lidhur me veprat e lartcekura është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se në qendrën e votimit pasi e kishte plotësuar fletën e votimit e kishte ekspozuar atë para se ta vendoste në kutinë e votimit. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.”

Ndërsa në Ranillug, është arrestuar një grua pasi dyshohet se ka ushtruar ndikim te votuesit e subjekteve tjera.

“CENIM I PËRCAKTIMIT TË LIRË TË VOTUESËVE-  Ranilluk / 26-27.12.2025 – NN. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare për shkak të dyshimit se ka ushtruar ndikim te votuesit e subjekteve tjera. E dyshuara pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”

Në Shtime është arrestuar një burrë pasi e ka grisur fletëvotimin e një gruaje.

“ASGJËSIM I DOKUMENTIT TË VOTIMIT- Shtime/ 28.12.2025 – 16:25. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar derisa kishte qenë duke votuar në qendrën e votimit kishte grisur fletëvotimin e tij dhe të një femre kosovare. I dyshuari është intervistuar, në konsultim me prokurorin lënda procedohet në procedurë të rregullt.”

Fletëvotimin e ka grisur edhe një burrë tjetër në Prizren.

“ASGJËSIM I DOKUMENTEVE TË VOTIMIT- Prizren/ 28.12.2025 – 11:48. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në qendrën e votimit ka grisur fletëvotimin. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.”

Ndërsa në Suharekë dikush e ka fotografuar votën dhe e ka postuar në rrjete sociale.

“Suharekë / 28.12.2025 – 12:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar gjatë votimit ka fotografuar votën dhe ka postuar në rrjete sociale. I dyshuari është paraqitur në stacion policor, është intervistuar dhe pastaj është liruar në procedurë të rregullt.”

Në një qendër të votimit në Pejë një fletëvotim e ka pasur vulën ndryshe nga fletëvotimet tjera. Ajo është sekuestruar.

“FALSIFIKIM I REZULTATEVE TË VOTIMIT- Pejë/ 28.12.2025 – 20:00. Është raportuar se në qendrën e votimit një fletëvotim kishte pasur vulën ndryshe nga fletëvotimet tjera të KQZ-së. Lidhur me rastin është informuar prokurori i cili e ka bërë cilësimin e veprës penale, fletëvotimi është sekuestruar. Rasti nën hetime.”


(Kosova Sot Online)