Kurti: Kosova e mbështet operacionin e SHBA-së në Venezuelë

  • A.P /
  • 03 January 2026 - 15:05
Kurti: Kosova e mbështet operacionin e SHBA-së në Venezuelë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Kosova e mbështet operacionin e SHBA-së në Venezuelë, duke thënë se është thelbësore të luftohet trafikimi i drogës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, ka shkruar ai.

Ai shtoi se “Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”.

Këtu Kurti pati edhe një kërkesë.

“Në këtë kontekst, ritheksojmë nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake”.

SHBA-ja ka kapur presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe gruan e tij dhe kanë nisur një sulm “në shkallë të gjerë” kundër vendit, tha më herët presidenti Donald Trump.

(Kosova Sot Online)