APO EKSPERIMENTOHET ME FATIN E SHTETIT? ÇKA PO NDODH ME NEVE?!

APO EKSPERIMENTOHET ME FATIN E SHTETIT? ÇKA PO NDODH ME NEVE?!
APO EKSPERIMENTOHET ME FATIN E SHTETIT? ÇKA PO NDODH ME NEVE?!

Ismail Muçiqi

  • 26 February 2026 - 10:28

Shkruan Ismail Muçiqi.

Kjo plejadë e gjeneratës së tanishme të politikanëve të Kosovës do të mbahet mend gjatë si klasa më e papërgjegjshme dhe më e padenjë gjatë historisë së Kosovës. Zgjedhja e Presidentes/tit është bërë mollë sherri e partive politike, e grupeve të interesit, të cilat edhe natën janë aktivizuar për ta politizuar çështjen e Presidentit të vendit. Si gazetar – opinionist e kam përkrahur Qeverinë Kurti pa asnjë interes, pa asnjë favor, me shpresë se më në fund kjo klasë politike do ta gjejë rrugën për t’i dhënë kuptim politikës, zhvillimit, integrimit, mirëqenies, stabilitetit dhe sigurisë së shtetit. Në këto momente, kur po e shkruaj këtë vështrim, më thotë mendja se Albin Kurti dhe partia e tij do të bëjnë gabim të pafalshëm, i cili do t’u kushtojë shumë rëndë, nëse në këto momente në të cilat gjendet Shteti i Kosovës e anashkalon zonjën Vjosa Osmani për zgjedhjen e Presidentes së Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj janë ngopur, shantazhuar e irrituar nga rivaliteti politik i krerëve të partive politike për shkak të papërgjegjësisë ndaj shtetit. Kalkulimet dhe eksperimentet, për të cilat po flitet se Presidenti duhet të zgjidhet nga familja Jashari, mendoj se është një gabim i pafalshëm dhe manipulim me familjen emblematike të Rifat Jasharit. Familja Jashari është dhe do të duhet të mbetet institucion dhe vlerë kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Koha ka treguar se karriera politike pothuajse gjithmonë i ka zhveshur dhe degraduar politikanët gjatë historisë. Pak kush ose fare ka mbetur pa u njollosur gjatë qëndrimit në krye të institucioneve të shtetit.

Andaj familja Jashari, si institucion kombëtar, mendoj se duhet të qëndrojë larg përfshirjes në politikë dhe në pozitat institucionale të Republikës së Kosovës. Kulla e Rifat Jasharit është simbol që e ka të drejtën morale t’i thërrasë t’i takojë e ti qortoj liderët apo përfaqësuesit e shtetit, të cilët kanë mosmarrëveshje mes veti, t’i qortojë dhe t’i pajtojë në të mirë të shtetit dhe popullit. Ky do duhej të ishte misioni i kullës së Rifat Jasharit. Nuk ka dyshim se politikanët e Kosovës kanë humbur sensin dhe rrugëtimin ndaj interesit të popullit. Serbia po shpenzon miliarda dollarë në logjistikën e saj diplomatike për të depërtuar deri në Shtëpinë e Bardhë për t’i avancuar interesat e saja. Ne, për fat të keq, nuk po arrijmë ta kuptojmë se Presidentja e Kosovës, zonja Osmani, është figura më e pranueshme për ta përfaqësuar Shtetin e Kosovës në të gjitha nivelet e diplomacisë Botërore. Këtë e ka dëshmuar sekretari i përgjithshëm i Aleancës së NATO-s, institucionet e Bashkimit Evropian dhe një varg institutesh të politikës që merren me marrëdhënie ndërkombëtare. Të hezitohet për ta rizgjedhur zonjën Osmani për Presidente të Shtetit në këto momente, kur Bota është në udhëkryq, e në anën tjetër Presidenti Trump, përveç që e përgëzon dhe e lavdron për punën që është duke e bërë para burrështetasve të bordit të paqes në Washington, i thotë zonjës Osmani: “Më thirr në telefon nëse has në probleme me Serbinë”. Ne, si duket, jemi ngopur me gjynahe; si thotë populli, nuk jemi duke parë as duke ndjerë. Mjerisht, po na përplas stuhia e botëkuptimeve të politikës primitive, të cilët po e çojnë vendin në kaos. Bota po na lakmon për figurën e Presidentes Osmani. Populli po e kërkon, rinia po e vlerëson, por mjerisht partitë politike dhe liderët karrieristë nuk po e duan. Andaj në fund më thotë mendja se Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosje duhet ta nominoj zonjën Vjosa Osmani për rizgjedhjen ne poziten e Presidentes pavarësisht se qka do të bëjnë partite opozitare a do ta votojn – apo do ti mundësojn zonjës Osmani të zgjidhet Presidente e Kosovës. Nëse kjo dështon deputetët e Parlamentit të cilët e pengojn zgjedhjen e saj do të skuqen dhe do të turpërohen para familjeve të tyre. Kësaj radhe vetëm kaq.
Zoti na shpëtoftë nga ky kaos që po e krijon politika qorre e njerëzve të padijshëm.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".