Trump paralajmëron zgjerim të ndikimit amerikan: Pesë shtete në fokus

  • A.P /
  • 06 January 2026 - 10:00
Trump paralajmëron zgjerim të ndikimit amerikan: Pesë shtete në fokus

Pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, nën arsyetimin e “nevojave të sigurisë kombëtare të SHBA-së”, janë përmendur pesë shtete si objektiva të mundshëm të politikës së jashtme të presidentit amerikan Donald Trump, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Trump ka deklaruar se po zbaton Doktrinën Monroe të vitit 1823, të cilën e ka riemërtuar “Doktrina Donroe”, duke theksuar synimin për të forcuar plotësisht dominimin amerikan në hemisferën perëndimore.

Në këtë kontekst, sipas deklaratave të presidentit amerikan, pesë vende konsiderohen si objektiva të mundshëm për operacione të ngjashme me atë që çoi në arrestimin e presidentit të Venezuelës.

Grenlanda

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë një bazë ushtarake në Grenlandë, bazën e Forcave Hapësinore Pituffik, por sipas Trumpit, ky prani nuk i plotëson nevojat e sigurisë kombëtare amerikane.

“Grenlanda na duhet nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare. Nëpër Grenlandë ka anije ruse dhe kineze”, ka deklaruar Trump.

Grenlanda, një ishull arktik dhe pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, ndodhet rreth 3.200 kilometra në verilindje të SHBA-së. Ajo është e pasur me minerale të rralla, thelbësore për prodhimin e telefonave inteligjentë, automjeteve elektrike dhe pajisjeve ushtarake.

Ishulli ka gjithashtu një pozicion strategjik në Atlantikun e Veriut, duke ofruar akses në Rrethin Arktik, i cili pritet të fitojë rëndësi edhe më të madhe me shkrirjen e akullit polar dhe hapjen e rrugëve të reja detare.

Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, iu përgjigj deklaratave të Trumpit duke e quajtur idenë e kontrollit amerikan mbi ishullin si “fantazi”.

“Nuk ka më presion. Nuk ka më insinuata. Nuk ka më fantazi për aneksim. Jemi të hapur për dialog dhe diskutime, por vetëm përmes kanaleve të duhura dhe me respektim të së drejtës ndërkombëtare”, tha Nielsen.

Edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, deklaroi se Trump “duhet marrë seriozisht kur thotë se e dëshiron Grenlandën”, duke theksuar se Grenlanda ka bërë të qartë se nuk dëshiron të bëhet pjesë e SHBA-së.

Kolumbia

Vetëm disa orë pas operacionit në Venezuelë, Trump paralajmëroi presidentin kolumbian Gustavo Petro që “të ketë kujdes”.

Kolumbia, si fqinje perëndimore e Venezuelës, ka rezerva të konsiderueshme nafte dhe është një nga prodhuesit kryesorë të arit, argjendit, platinës dhe qymyrit në rajon. Ajo konsiderohet gjithashtu një qendër kyçe për prodhimin dhe tregtinë e kokainës në nivel rajonal dhe global.

Trump deklaroi se Kolumbia “qeveriset nga një njeri i sëmurë që prodhon kokainë dhe e shet atë në Shtetet e Bashkuara”, duke shtuar: “Kjo nuk do të zgjasë shumë”.

I pyetur nëse SHBA do të ndërmerrte një operacion kundër Kolumbisë, Trump u përgjigj: “Mua më duket ide e mirë”.

Irani

Irani aktualisht po përballet me protesta masive kundër qeverisë. Trump paralajmëroi se autoritetet iraniane do të “goditen rëndë” nëse vazhdojnë vrasjet e protestuesve.

“Po e ndjekim situatën me shumë kujdes. Nëse fillojnë të vrasin njerëz si më parë, Shtetet e Bashkuara do t’i godasin fort”, deklaroi ai.

Edhe pse Irani nuk bën pjesë në rajonin e përfshirë nga “Doktrina Donroe”, Trump ka kërcënuar më herët regjimin iranian, veçanërisht pas sulmeve të vitit të kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Këto sulme pasuan një operacion të gjerë izraelit kundër kapaciteteve bërthamore të Iranit, që çoi në një konflikt 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit. Sipas mediave amerikane, mundësia e sulmeve të reja ndaj Iranit në vitin 2026 është diskutuar së fundmi.

Meksika

Fushata e Trumpit në vitin 2016 u shoqërua me thirrjet për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën. Në ditën e parë të rikthimit në detyrë në vitin 2025, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta riemërtuar Gjirin e Meksikës në “Gjiri Amerikan”.

Trump ka akuzuar vazhdimisht autoritetet meksikane se nuk bëjnë mjaftueshëm për të ndalur trafikun e drogës dhe emigracionin ilegal drejt SHBA-së.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka refuzuar publikisht çdo mundësi të ndërhyrjes ushtarake amerikane në territorin meksikan.

Kuba

Kuba, e cila ndodhet vetëm 145 kilometra në jug të Floridës, është nën sanksione amerikane që nga fillimi i viteve 1960 dhe ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me Venezuelën e Nicolas Maduros.

Trump sugjeroi se një ndërhyrje ushtarake amerikane në Kubë nuk është e nevojshme, pasi sipas tij vendi “është gati të rrëzohet”.

“Nuk mendoj se nevojitet ndonjë veprim. Situata duket se po përkeqësohet. Kuba aktualisht nuk ka të ardhura”, tha Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili është djali i emigrantëve kubanë, ka bërë prej kohësh thirrje për ndryshim regjimi në Kubë, duke deklaruar së fundmi: “Po të jetoja në Havana dhe të isha pjesë e qeverisë, do të isha i shqetësuar, të paktën pak”.

(Kosova Sot Online)