Bislimi: Asnjëherë nuk kam pasur takime sekrete e aq më pak me Gjuriqin

  • A.P /
  • 07 January 2026 - 16:02
Bislimi: Asnjëherë nuk kam pasur takime sekrete e aq më pak me Gjuriqin

Zëvendëskryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas publikimit të shkrimit të gazetës zvicerane “NZZ” për takimet në Solothurn, duke akuzuar mediat e Kosovës se e kanë keqinterpretuar atë me qëllim, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Bislimi nuk e ka përmendur fare faktin që gaztea NZZ e ka ndryshuar sot tekstin, derisa ka thënë se në asnjë kapacitet s’ka pasur takime të fshehta apo sekrete me Marko Gjuriqin.

“Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime “të fshehta e sekrete”, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq”, ka shkruar Bislimi.

Zv.kryeministri kosovar ka thënë se do t’iu drejtohet institucioneve relevante përmes ankesës dhe padisë.

Gazeta zvicerane NZZ të martën ka publikuar një shkrim për takime diskrete e larg syrit të publikut të mbajtura në Zvicër. Megjithatë NZZ sot e ka ndryshuar artikullin, duke saktësuar që Besnik Bislimi dhe Marko Gjuriq s’janë takuar direkt .

 

Dezinformata të shumta dhe propagandë nga portale në Kosovë u përhapën dje duke keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane NZZ. Është për keqardhje me sa lehtësi dhe shpejtësi krijohen dhe shpërndahen dezinformatat me synim informimin e rrejshëm ndaj opinionit publik dhe çorientim të së vërtetës.

Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime "të fshehta e sekrete", e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq. As gazeta serioze zvicerane NZZ nuk aludoi në shkrimin e saj që nga publikimi në asnjë moment për një takim të tillë, por ishin portalet joprofesionale dhe gazetarë joprofesionalë që raportuan rrejshëm në atë mënyrë, duke keqpërdorur artikullin nga NZZ. Dezinformatat e shumta të shpërndara në mënyrë të qëllimshme do t'i adresoj përmes ankesës/padisë në institucionet relevante.


(Kosova Sot Online)