Sorensen: Shpresoj që 2026 të na sjellë atë që s’e solli 2025

  • A.P /
  • 14 January 2026 - 11:43
Sorensen: Shpresoj që 2026 të na sjellë atë që s’e solli 2025

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është ndalë shkurt për gazetarët pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani në Presidencë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Meqë viti i kaluar ishte thuajse i humbur për këtë proces, Sorensen tha se është optimist për këtë vit të ri.

“Kam shpresë të madhe, sigurisht, personalisht, që 2026 na sjell atë që 2025 nuk e solli. Dhe prandaj po e nis vitin e punës me një udhëtim pune këtu dhe pastaj në Beograd më vonë këtë javë”.

Sorensen tha se do të pranonte vetëm një pyetje të shkurtë meqenëse ishte vonë.

I pyetur se kur do të realizohet një takim i nivelit të lartë, emisari europian tha se ka një zotim nga Përfaqësuesja e Lartë se ai do të organizohet kur të jetë koha e duhur.

“Ajo që do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare në lehtësimin e dialogut — të sigurojmë që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë. Pra do të duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vitin e kaluar. Ka angazhime që do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur. Ajo do ta thërrasë takimin. Njerëzit do të vijnë dhe do të shohim. Por do të duhet të shohim”.


(Kosova Sot Online)