Guterres: SHBA-ja beson se fuqia e saj ka më shumë rëndësi se ligji ndërkombëtar
SHBA-ja po veprojn me pandëshkueshmëri dhe besojnë se fuqia e tyre ka më shumë rëndësi se ligji ndërkombëtar, kështu ka deklaruar kreu i OKB-së për BBC-në, António Guterres, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gjatë një interviste për programin Today të BBC Radio 4, Guterres tha se “bindja e qartë” e Uashingtonit ishte se zgjidhjet multilaterale ishin të parëndësishme. Ajo që kishte rëndësi për ta, ishte “ushtrimi i fuqisë dhe ndikimit të Shteteve të Bashkuara dhe ndonjëherë në këtë drejtim sipas normave të ligjit ndërkombëtar”.
Komentet e kreut të OKB-së vijnë disa javë pasi SHBA-të goditën Venezuelën dhe arrestuan presidentin e saj, dhe në kontekstin e kërcënimeve të përsëritura të Donald Trump-it për të aneksuar Groenlandën.
Guterres tha se besonte se parimet themeluese të OKB-së, përfshirë barazinë e shteteve anëtare, tani ishin nën kërcënim.
Presidenti Trump më parë ka qenë i ashpër në kritikat e tij ndaj Kombeve të Bashkuara. Ai e përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme shtatorin e kaluar për të vënë në dyshim vetë qëllimin e saj, duke pretenduar se kishte “përfunduar shtatë luftëra të pafundme” vetë dhe se OKB “as që u përpoq të ndihmonte në ndonjërën prej tyre”.
“Më vonë kuptova se OKB nuk ishte aty për ne,” tha ai, citon BBC.
I ballafaquar me këtë vlerësim, Guterres pranoi se organizata e tij po luftonte për t’i bërë anëtarët të respektonin ligjet ndërkombëtare të përcaktuara në Kartën e OKB-së.
OKB ishte “jashtëzakonisht e angazhuar” në zgjidhjen e konflikteve të mëdha globale, këmbënguli ai. “Por OKB nuk ka ndikim, fuqitë e mëdha kanë ndikim më të fortë.”
Ai vuri në pikëpyetje nëse ky ndikim shtesë po përdorej për të prodhuar zgjidhje reale dhe të qëndrueshme për konfliktet, apo thjesht zgjidhje të shpejta. “Ka një ndryshim të madh mes dy gjërave,” theksoi ai.
Guterres gjithashtu tha se organizata e tij kishte nevojë për një reformë për të përballuar “probleme dhe sfida dramatike” që përballen 193 anëtarët e saj.
“Ka nga ata që besojnë se fuqia e ligjit duhet të zëvendësohet nga ligji i fuqisë,” tha kreu i OKB-së.
“Me të vërtetë, kur sheh politikën aktuale të Shteteve të Bashkuara, ka një bindje të qartë se zgjidhjet multilaterale nuk janë të rëndësishme dhe se ajo që ka rëndësi është ushtrimi i fuqisë dhe ndikimit të SHBA-ve dhe ndonjëherë në këtë drejtim sipas normave të ligjit ndërkombëtar.”
Ai sugjeroi se Këshilli i Sigurimit të OKB-së, i krijuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, nuk përfaqëson më botën dhe është “joefektiv”.
Çdo anëtar i përhershëm i këshillit (Franca, Kina, Rusia, Mbretëria e Bashkuar ose SHBA-të) mund të vërë veton ndaj rezolutave. Si Rusia ashtu edhe SHBA-të e kanë përdorur këtë fuqi për të penguar përpjekjet globale për t’i dhënë fund luftërave në Ukrainë dhe Gaza.
Guterres pretendoi se vetot po përdoren për të avancuar interesat e anëtarëve individualë dhe kritikoi faktin që “tre vende evropiane” janë anëtarë të përhershëm.
(Kosova Sot Online)
