Totaj: Çdo tentim për tjetërsim të votës është cenim i drejtpërdrejtë
Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar pas rinumërimit i cili tregoi se ka pasur manipulime me vota gjatë numërimit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Totaj ka thënë se cdo tentim për tjetërsimin e votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake.
“Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me parregullsitë e evidentuara nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren. Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake.”
Ai ka thënë se kjo nuk është PDK për të cilën kanë punuar dhe investuar me vite.
“Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona.”
Totaj ka shtuar se duhet rivlerësim i tërësishëm nga KQZ.
“Siguroj qytetarët se Partia Demokratike e Kosovës di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij. Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partië, diku me shume e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të terësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbarvajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve.”
(Kosova Sot Online)
