Ja kush është diplomati që Trump e emëroi përfaqësues të lartë për Gazën

  • A.P /
  • 20 January 2026 - 14:00
Ja kush është diplomati që Trump e emëroi përfaqësues të lartë për Gazën

Diplomati bullgar dhe ish-ministri i Jashtëm, Nikolay Mladenov, do të udhëheqë administratën kalimtare në Rripin e Gazës, konfirmoi të premten Shtëpia e Bardhë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas njoftimit, Mladenov do të mbajë postin e përfaqësuesit të lartë për Gazën.

Lajmi vjen tre muaj pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – grupit që qeveris Gazën dhe konsiderohet terrorist nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe ishte hapi i parë i planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Emërimi i një administrate kalimtare në enklavë është pjesë e këtij plani.

Në rolin e tij si përfaqësues i lartë për Gazën, Nikolay Mladenov “do të veprojë si lidhje në terren” ndërmjet Bordit për Paqe – një strukturë që SHBA-ja po e krijon për të ushtruar përkohësisht kontroll mbi qeverisjen e Gazës – dhe Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, i cili do të funksionojë si qeveri e përkohshme, nën mbikëqyrjen e Bordit për Paqe, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Ai “do të mbështesë mbikëqyrjen e Bordit në të gjitha aspektet e qeverisjes, rindërtimit dhe zhvillimit të Gazës”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u takua me të, më herët në janar, dhe tha se ai do ta udhëheqë autoritetin kalimtar në Gazë.

Në të kaluarën, Mladenov ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, ka qenë deputet dhe eurodeputet.

Po ashtu, ka mbajtur poste të larta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe ka përvojë në ndërmjetësimin mes Izraelit dhe Hamasit.

Deputet, eurodeputet, ministër…

Nikolay Mladenov ka lindur më 5 maj të vitit 1972 në Sofje.

Ai ka përfunduar studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin për Ekonomi Kombëtare dhe Botërore në Sofje dhe ka një diplomë master në Shkenca Ushtarake nga Kolegji Mbretëror në Londër.

Karrierën politike e ka nisur në Bashkimin e Forcave Demokratike (SDS), ku ka shërbyer edhe si zëdhënës i partisë.

Në vitin 2001, ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e 39-të të Bullgarisë nga radhët e ODS-së.

Pas përfundimit të mandatit në vitin 2005, ai ka punuar si konsulent për Bankën Botërore dhe për organizata të tjera ndërkombëtare në Evropën Juglindore dhe Lindjen e Mesme, thuhet në biografinë e tij zyrtare.

Para se është emëruar ministër i Jashtëm, Mladenov ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian. Ai është zgjedhur në vitin 2007 nga lista e partisë GERB dhe ka qenë ndër eurodeputetët e parë bullgarë pas anëtarësimit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)