Ish-kryeministri i njohur dënohet me 23 vjet burgim
Një gjykatë e Koresë së Jugut e dënoi ish-kryeministrin Han Duck-soo me 23 vjet burg të mërkurën, për akuza që përfshinin kryengritje, të lidhura me shpalljen e ligjit ushtarak nga ish-presidenti Yoon Suk Yeol në dhjetor 2024.
Han, 76 vjeç, është zyrtari i parë i kabinetit që ka marrë një vendim gjykate për akuza penale të lidhura drejtpërdrejt me ligjin ushtarak, çka sipas ekspertëve ligjorë mund të shërbejë si një tregues për gjyqe të tjera, shkruan Reuters.
Gjykata Qendrore e Distriktit të Seulit e shpalli Han fajtor, duke thënë se ai kishte qenë vendimtar në krijimin e pamjes së jashtme të një mbledhjeje kabineti që mundësoi shpalljen e ligjit ushtarak, një veprim që gjyqtari e përshkroi si një “kryengritje nga lart-poshtë”.
Gjyqtari shtoi se Han kishte diskutuar gjithashtu plane për të bllokuar funksionimin e institucioneve kryesore, si parlamenti, si pjesë e kryengritjes.
“I pandehuri ishte një kryeministër të cilit i ishte dhënë në mënyrë indirekte legjitimitet dhe përgjegjësi demokratike… Megjithatë, i pandehuri zgjodhi të mbyllte sytë… dhe të merrte pjesë si anëtar i kryengritjes së 3 dhjetorit”, tha gjyqtari.
“Si rezultat, Koreja e Jugut ishte në rrezik të kthehej në të kaluarën e errët kur të drejtat themelore dhe rendi liberal demokratik i popullit u shkelën, duke i penguar ata potencialisht të shpëtonin nga … diktatura për një kohë të gjatë”.
Gjykata e shpalli Hanin fajtor për “përfshirje në veprimin kryesor të kryengritjes”, si dhe për akuzat e lidhura me dëshmi të rreme dhe falsifikim të një dokumenti zyrtar.
“Do ta ndjek me përulësi vendimin e gjyqtarit”, tha Han pas vendimit.
Ai kishte mohuar shkeljet për të gjitha akuzat përveç dëshmisë së rreme, duke thënë në nëntor se, ndërsa i vinte keq që nuk mundi ta ndalonte Yoon të shpallte gjendjen ushtarake, ai “nuk pranoi kurrë për të dhe as nuk u përpoq të ndihmonte”.
Në një rast të pazakontë në procedurat gjyqësore të Koresë së Jugut, dënimi me 23 vjet tejkaloi një dënim prej 15 vjetësh të kërkuar nga prokurorët në nëntor.
Han u ndalua nga gjykata menjëherë pas shpalljes së vendimit, i cili mund të apelohet. Avokati i Han tha se çështja do të dërgohet në Gjykatën Supreme.
(Kosova Sot Online)
