Trump mund të dërgojë trupa në Iran si në Venezuelë
Uashingtoni mund të përdorë taktikën e Venezuelës, në sulmin e mundshëm ndaj Iranit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Prestigjiozja New York Times shkruan se mes opsioneve të sulmit ushtarak ndaj republikës islamike, presidentit Donald Trump i është paraqitur edhe varianti për dërgimin e trupave nga njësitë speciale të ushtrisë amerikane për kryerjen e operacioneve të vështira për goditjen e pikave kyçe të programit bërthamor dhe bazave të raketave që u mbijetuan sulmeve të qershorit të kaluar.
Kjo strategji synon edhe dobësimin e pushtetit të liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Ndërhyrja e kufizuar nga toka mund t’i bashkangjitet sulmit ajror dhe detar të mundësuar nga 10 anije amerikane lufte, ndër të cilat edhe aeroplanmbajtësja e madhe Abraham Lincoln, që janë grumbulluar në ujërat e Lindjes së Mesme.
Të enjten, Trump i bëri një tjetër thirrje Teheranit, të heqë dorë nga programi bërthamor për të shmangur sulmin ushtarak amerikan.
Ministri i jashtëm i Iranit, Abaz Aragçi ishte në Stamboll këtë të premte, ku u takua me presidentin Rexhep Taip Erdoan dhe me homologun Hakan Fidan.
Aragçi tha se ishte gati të bisedonte me palën amerikane, por jo të vinte në diskutim programin bërthamor. Turqia, anëtare e NATO-s që ruan marrëdhënie miqësore me Iranin, i bëri thirrje SHBA-ve të shmangë sulmin dhe t’i japë përparësi dialogut.
Tensionet me Iranin kanë bërë që nafta e papërpunuar të arrijë çmimin më të lartë për fuçi të 4 muajve të fundit.
(Kosova Sot Online)
