Tusk: Jemi aleat besnik i SHBA-së
Kryeministri polak, Donald Tusk, riafirmoi të enjten besnikërinë e Polonisë ndaj Shteteve të Bashkuara, por përjashtoi mundësinë që vendi i tij të bëhet “vasal” i ndonjë shteti. Deklarata e tij erdhi një ditë pasi njoftoi se Varshava nuk do t’i bashkohej Bordit të Paqes të Presidentit Donald Trump, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Më 22 janar, përfaqësuesit e 19 vendeve nënshkruan Kartën e Bordit të Paqes në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
“Polonia ishte, është dhe do të jetë një aleat besnik, i besueshëm i Shteteve të Bashkuara. Por në këtë aleancë, Polonia nuk është dhe nuk do të jetë për sa kohë që unë jam kryeministër, një vasal. Ne do të jemi një aleat besnik, por nuk do të jemi vasal në marrëdhëniet me asnjë vend në botë”, tha Tusk.
Ai shtoi se marrëdhëniet midis aleatëve nuk mund të mbështeten te “dikush që tund kokën vazhdimisht dhe përpiqet të fitojë diçka përmes lajkatimeve”.
Ndërkohë, Bordi i Paqes u krijua në kuadër të përpjekjeve për një zgjidhje paqësore në Rripin e Gazës. Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se që nga krijimi i tij, shtete të tjera i janë bashkuar iniciativës.
Takimi i parë i Bordit është planifikuar për 19 shkurt në Uashington, DC, në nivel udhëheqësish. Mbetet e paqartë nëse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të marrë pjesë. Mbledhja e fondeve për rindërtimin e Gazës pritet të jetë fokusi kryesor i takimit.
(Kosova Sot Online)
