Rritja e vazhdueshme e buxhetit të shtetit ka krijuar hapësirë më të madhe për ndërhyrje sociale

Rritja e vazhdueshme e buxhetit të shtetit ka krijuar hapësirë më të madhe për ndërhyrje sociale
Rritja e vazhdueshme e buxhetit të shtetit ka krijuar hapësirë më të madhe për ndërhyrje sociale

Arsim Haziri

  • 13 February 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Arsim Haziri

Politikat e prezantuara në momentin kur Kurti mori qeverisjen mund të kuptohen edhe në raport me zhvillimet buxhetore të viteve të fundit. Rritja e vazhdueshme e buxhetit të shtetit ka krijuar hapësirë më të madhe për ndërhyrje sociale dhe për orientim më të theksuar drejt rishpërndarjes së burimeve.

 

-Duke qenë se Vetëvendosje identifikohet me një orientim socialdemokrat, këto politika nuk paraqesin një kthesë të papritur, por vazhdimësi të një linje ideologjike të pranishme që nga zanafilla e saj.

Ajo që e bën këtë fazë të veçantë është konteksti shoqëror i trashëguar. Pas rreth dy dekadash qeverisjeje, të karakterizuara shpesh nga keqmenaxhimi, korrupsioni dhe mungesa e fokusit në dimensionin social, shoqëria është përballur me thellim të ndarjeve klasore.

Një pjesë e qytetarëve ka përfituar nga sistemi dhe ka pasur mundësi të zhvillojë interesat dhe ambiciet e veta, ndërsa një segment i madh ka mbetur i kufizuar në sigurimin e nevojave bazike për jetesë.

Në këtë vijë kronologjike, orientimi drejt politikave më sociale shfaqet si përpjekje për korrigjim strukturor. Qëllimi nuk është vetëm asistenca afatshkurtër, por zbutja e pabarazive të krijuara ndër vite dhe forcimi i kohezionit shoqëror.

Rritja e mbështetjes për shtresat e ndjeshme, ndërhyrjet në sektorët publikë si arsimi dhe shëndetësia, si dhe politikat që synojnë përmirësimin e standardit të jetesës, interpretohen si instrumente për të ngushtuar hendekun ndërmjet klasave.

Prandaj, këto politika mund të shihen jo vetëm si shprehje e një orientimi ideologjik socialdemokrat, por edhe si përgjigje ndaj një realiteti shoqëror të polarizuar, ku ndërhyrja e shtetit bëhet mjet për rivendosjen e një ekuilibri më të drejtë social.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".