Trump: Ndryshimi i regjimit, gjëja më e mirë që mund të ndodhë në Iran
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ndryshimi i regjimit është “gjëja më e mirë që mund të ndodhë” në Iran, teksa konfirmoi se një aeroplanmbajtës i dytë së shpejti do t’i bashkohet flotës “masive” amerikane në Detin Arabik, në mes të tensioneve të larta mes dy rivalëve, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Duke se kjo do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, tha Trump për gazetarët më 13 shkurt teksa po qëndronte në një bazë ushtarake në Karolinë të Veriut kur u pyet nëse synonte “ndryshim të regjimit” në Teheran.
“Për 47 vjet, ata kanë folur e kanë folur e kanë folur. Në ndërkohë, ne kemi humbur shumë jetë njerëzish në kohën kur ata kanë folur”, shtoi ai. Kjo është thirrja më e drejtpërdrejtë e Trumpit për rrëzimin e regjimit klerikal të Iranit.
Trump nuk tha se kush dëshiron që ta marrë drejtimin e Qeverisë nëse regjimi do të binte, por tha vetëm se “ka njerëz”.
Reza Pahlavi, djali në mërgim i shahut të fundit të Iranit, është një nga shumë figurat që synojnë të fitojnë ndikim brenda opozitës së fragmentuar iraniane në mërgim.
Regjimi teokratik i Iranit është në pushtet që nga viti 1979, kur Revolucioni Islamik çoi në rrëzimin e shahut të mbështetur nga SHBA-ja, Mohammad Reza Pahlavi, nga klerikët besnikë ndaj ajatollah Ruhollah Khomeini. Të dy shetet nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që nga viti 1980.
Uashingtoni dhe Teherani janë përfshirë në bisedime indirekte mbi programin bërthamor të Iranit. Shtetet perëndimore dyshojnë se Irani po përpiqet të zhvillojë një armë bërthamore, teksa Teherani insiston se programi i tij është vetëm për qëllime civile.
Trump po ashtu ka kërcënuar me një sulm të ri ushtarak ndaj Qeverisë iraniane nëse ekzekuton ndonjë nga protestuesit e arrestuar gjatë protestave masive antiqeveritare të mbajtura së voni.
(Kosova Sot Online)
