Sot fjalët përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë tashmë në fazën vendimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku të mërkurën pritet të dëgjohen fjalët e fundit nga përfaqësuesi i viktimave, replikat e mbrojtjes dhe në fund edhe deklarimet përmbyllëse të vetë katërshes së UÇK-së, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas Prokurorisë së Specializuar, lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, 1998–1999. Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, akuza të cilat ata i kanë mohuar vazhdimisht, duke u deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, në seancën përmbyllëse pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca.
(Kosova Sot Online)
