Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në Evropë sipas fuqisë blerëse
Shqipëria rezulton vendi me karburantin më të shtrenjtë në Europë kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve. Monitor ka përpunuar të dhënat e të ardhurave për frymë në dollarë për vitin 2026 sipas publikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe çmimit aktual të naftës sipas Global Petrol Price. Të ardhurat mesatare për frymë në dollarë në Shqipëri për vitin 2026 janë 12 mijë dollarë, ose 33 dollarë në ditë, sipas pasqyrës Ekonomike Globale të FMN-së. Një litër naftë tregtohej dje në Shqipëri me rreth 200 lekë, ose 2.4 dollarë, me kursin aktual.
Si rrjedhojë, një qytetari shqiptar do ti duheshin aktualisht 7.2% e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në shifrat e FMN-së dhe Global Petrol Price, kjo është pesha më e lartë ndër vendet europiane të përfshira në analizë.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit pesha është të paktën dy herë më e lartë. Në Serbi, një litër karburant përfaqëson rreth 3.7% të të ardhurave ditore, në Mal të Zi rreth 3.6%, ndërsa në Rumani rreth 2.8%. Edhe në Greqi, një nga tregjet më të shtrenjta të karburantit në Europë në terma nominalë, pesha e një litri nafte në raport me të ardhurat është rreth 2.5%.
(Kosova Sot Online)
