Osmani: 13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë

  • A.P /
  • 13 March 2026 - 13:45
Osmani: 13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën që ndodhi në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës më 13 mars të 1999-ës, e ku u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha 5 e deri 65-vjecar, e u plagosën 128 qytetarë të tjerë.

“13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë. Në këtë ditë përkujtojmë viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, ku më 13 mars 1999, nga granatat e forcave të regjimit gjenocidal serb, u vranë mizorisht 7 civilë të pafajshëm, nga mosha vetëm 5 deri në 65 vjeç. Në këtë akt makabër u plagosën 128 qytetarë të tjerë: fëmijë, gra, pleq e të rinj, të cilët u  përballën me barbarinë e një regjimi kriminal”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e krimeve mizore.

“Masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë. Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi”, shkruan ajo.

(Kosova Sot Online)