Nagavci: Zgjedhjet e reja nuk sjellin asnjë rezultat të ri
Shefja e Grupit Parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se për ditët që i kanë në dispozicion do të intensifikojnë takimet dhe bisedat
Kjo, për shkak që siç ka thënë Nagavci, janë të interesuar që t’i shmangin zgjedhjet.
Sipas saj, zgjedhjet e reja jo vetëm që janë të panevojshme, por nuk do të sillnin asnjë rezultat të ri.
“Është ashtu siç jeni në njohuri, propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ardhur për të iniciuar procedurën dhe pasi nuk kishim asnjë propozim tjetër nga PDK, të cilët kërkonin që të bënim propozimet e tyre, gjithsesi kishim miratimin e lëvizjes për mbështetje të kandidatëve të tyre, ndonëse akoma edhe sot ne nuk e dimë për çfarë emrash specifikë bëhet fjalë ose kënd kanë pasur në mendje. Ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë specifikë nga LDK-ja për marrëveshje politike të cilës i janë referuar. Gjithsesi, ne kemi iniciuar procedurën, tashmë kemi dy kandidatë. Seanca ka filluar, por nuk konsiderohet që kemi filluar edhe në fazën e parë, pra në momentin kur të kemi 80 deputetë në sallë të cilët marrin pjesë edhe vendosin votat e tyre në kuti, ne mund të dimë se si po vazhdojmë tutje. Ndërkohë që ditët e mbetura natyrisht do të intensifikohen takimet edhe bisedat, sepse si Lëvizje jemi tejet të interesuar që të shmangim edhe një palë zgjedhje të reja, sepse besoj që mundësitë janë, gjasat janë reale edhe është e nevojshme, pothuajse e domosdoshme që ne të zgjedhim presidentin, sepse edhe një palë zgjedhje të reja jo vetëm që janë të panevojshme e të padrejta, por nuk do të sjellin asnjë rezultat të ri”, ka thënë Nagavci.
(Kosova Sot Online)
