Osmani ia ka dorëzuar Haxhiut pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka marrë pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes nga Vjosa Osmani.
Osmani i ka uruar mirëseardhje Haxhiut, duke thënë se është lumtur që po ia dorëzon një gruaje pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes.
Osmani ka thënë se s’është e lehtë që të mbahen të dy pozitat, meqë një përvojë të tillë e ka përjetuar edhe vetë.
“Ju dëshiroj mirëseardhje, nga sonte në mesnatë edhe ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës. Ka qenë dëshirë e imja që kurdo që dalë nga kjo zyrë ta lë një grua prapa. Kjo dëshirë po më realizohet”, ka thënë Osmani, duke uruar që edhe Haxhiu ta lë pas vetes një grua presidente.
Osmani ka deklaruar se po i lë pas Haxhiut një punë të jashtëzakonshme pas 5 viteve në presidencë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të pozitës së ushtrueses së pozitës së presidentes. Haxhiu ka falendëruar Osmanin për punën që ka bërë.
Ajo ka thënë se sipas Kushtetutës, nuk mund të qëndrojë më shumë se 6 muaj në pozitën e u.d se presidentes, prandaj ka thënë se shpreson që Kuvendi sa më shpejt të zgjedh presidentin e ri.
“Faleminderit për punën dhe angazhimin pesë vjeçar. Për Kosovën është me rëndësi të kenë në krye të institucioneve njerëz me integritet të lartë. Rrethanat Kushtetuese e imponojnë që Kryetari i Kuvendit të jetë ushtrues i detyrës së presidentit. E dimë që kjo pozitë mbahet jo më shumë se 6 muaj dhe shpresoj që Kuvendi të zgjedh sa më shpejt presidentit”, ka thënë Haxhiu.
“Me këtë rast iu bëj thirrje grupeve parlamentare që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit. T’i lënë anash inatet e dallimet politike. Deri atëherë unë do të angazhohem që përgjegjësitë që ka presidenti t’i kryej me përgjegjësi e profesionalizëm të lartë”, ka shtuar Haxhiu.
Osmani ia ka dorëzuar Kushtetutën e Kosovës si hap të parë të dhënies të pozitës, duke treguar se do të vazhdojnë më pas edhe me dokumentacionet e tjera të punës
(Kosova Sot Online)
