Sot do të shpallet aktgjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës

  • A.P /
  • 21 April 2026 - 09:15
Sot do të shpallet aktgjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës

Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me fillim nga ora 13:30, do të shpallet aktgjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Fjalët përfundimtare në këtë rast janë paraqitur të premten, ku palët kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve.

Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar.

Edhe familja e Liridonës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesë të provave direkte dhe duke kërkuar vendim të bazuar vetëm në prova.

Liridona Ademj u vra më në nëntor të vitit 2023, në një rrugë në fshatin Bërrnicë të Prishtinës.

Ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli akuzohet për planifikimin e vrasjes, Plava akuzohet se e ka kryer vrasjen, ndërkaq Kushtrim Kokalla akuzohet se e ka njoftuar dorasin e dyshuar me Murselin.

Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

(Kosova Sot Online)