Po vazhdojnë rastet e vjedhjes së të dhënave bankare në Kosovë
Mesazhet mashtruese përmes SMS-ve, që paraqiten si të dërguara nga banka, po vazhdojnë të qarkullojnë dhe po shtojnë shqetësimet për sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.
Së fundmi, Raiffeisen Bank ka paralajmëruar klientët për një SMS të tillë mashtrues, i cili synon t’i mashtrojë duke kërkuar ndarjen e informacioneve të ndjeshme.
Raste të tilla tashmë kanë pasur pasoja konkrete: një grua nga Prishtina raportohet se ka humbur mijëra euro pasi ka përditësuar të dhënat e saj bankare përmes një mesazhi të rremë.
Sipas bankës, këto mesazhe shpesh duken si komunikime zyrtare dhe u bëjnë thirrje marrësve të veprojnë urgjentisht, duke pretenduar probleme me llogarinë ose duke ofruar shpërblime të rreme.
Banka u kërkon klientëve të mos ndajnë asnjë të dhënë personale apo bankare përmes faqeve ose burimeve jozyrtare, duke theksuar se qëllimi i këtyre mashtrimeve është vjedhja dhe keqpërdorimi i të dhënave.
“Mesazhet që pretendojnë se vijnë nga kompani të besueshme janë një formë e zakonshme mashtrimi dhe synojnë t’i shtyjnë qytetarët të klikojnë në lidhje të rrezikshme ose të japin informacione konfidenciale,” thuhet në njoftim.
Ndërkohë, edhe Posta e Kosovës (NPOST) ka paralajmëruar më herët për mesazhe të ngjashme mashtruese në emër të saj, duke treguar një rritje të këtij fenomeni.
Autoritetet dhe institucionet financiare u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë çdo mesazh të dyshimtë përmes kanaleve zyrtare, në mënyrë që të shmangin mashtrimet dhe humbjet financiare.
(Kosova Sot Online)
