Ky vend po krijon një brez që nuk do të lejohet kurrë të blejë cigare
Londra ka miratuar një ligj të rëndësishëm që synon krijimin e një “brezi pa duhan”, duke ndaluar shitjen e cigareve dhe produkteve me nikotinë për të gjithë personat e lindur pas 1 janarit 2008.
Sipas këtij vendimi të ri të Parlamentit britanik, cigaret tradicionale dhe pajisjet elektronike të duhanit (vape) nuk do të mund të blihen ligjërisht nga ky brez, edhe kur ata të arrijnë moshën madhore.
Ligji parashikon gjithashtu një rritje graduale të moshës ligjore për blerjen e duhanit çdo vit, me synimin për të ulur përdorimin e tij deri në eliminim të plotë.
Autoritetet në Britani e kanë quajtur këtë vendim një hap të madh për shëndetin publik dhe për reduktimin e varësisë nga nikotina.
“Ky është një hap historik që do të krijojë një brez pa nikotinë”, kanë deklaruar përfaqësues të qeverisë.
Ligji tashmë pret miratimin formal nga Mbreti Charles III, që është hapi i fundit para hyrjes së tij në fuqi.
Nëse finalizohet, Mbretëria e Bashkuar do të bëhet vendi i parë në botë që ndërmerr një masë të tillë për kufizimin e duhanit në mënyrë graduale dhe afatgjatë.
(Kosova Sot Online)
