Një grua ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj
Një grua nga Podujeva ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj, duke pretenduar se ai e ka përcjellë me veturë dhe më pas e ka goditur qëllimisht nga prapa, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2026 rreth orës 15:35 në fshatin Obranqë të Podujevës.
Sipas informatave, Policia fillimisht kishte pranuar njoftim për një aksident trafiku, por gjatë trajtimit të rastit dyshimet kanë kaluar në drejtim të dhunës në familje.
Burimet bëjnë të ditur se viktima P. Xh., rreth 28-vjeçare, në prezencë të Qendrës për Punë Sociale, ka deklaruar se kishte qenë e martuar me A. Xh., rreth 32-vjeçar për shtatë vite dhe se kanë dy fëmijë, ndërsa prej dy vitesh janë të ndarë.
Sipas deklarimit të saj, ish-bashkëshorti e kishte përcjellë vazhdimisht me veturë gjatë ditës, i kishte zënë rrugën dhe e kishte telefonuar disa herë.
Ajo pretendon se në fshatin Obranqë, ai e kishte goditur me veturë nga prapa.
Ndërkohë, i dyshuari ka deklaruar para hetuesve se goditja kishte qenë aksidentale dhe se mes tyre ende kishte komunikim të herëpashershëm edhe pas ndarjes.
Sinjali mëson se viktima ka kërkuar urdhër mbrojtjeje në ditët në vijim.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar për dhunë në familje, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
(Kosova Sot Online)
