Sllovenët e marrin përsëri tenderin për shtypjen e fletëvotimeve

  • A.P /
  • 18 May 2026 - 11:05
Sllovenët e marrin përsëri tenderin për shtypjen e fletëvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë kontratën për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrata i është dhënë kompanisë “Cetis d.d” nga Sllovenia, e specializuar në shtypjen e materialeve zgjedhore dhe të sigurisë

Vlera fillestare e kontratës arrinte në 418 mijë e 12 euro, megjithatë pas kërkesës së KQZ-së operatori ekonomik ka ofruar zbritje në ofertën financiare, duke e ulur çmimin final në 342 mijë euro.

Tenderi kishte të bënte me shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për procesin zgjedhor të vitit 2026, ndërsa procedura është zhvilluar përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë.

Në garë për këtë tender ka qenë vetëm një operator ekonomik, i cili edhe është shpallur fitues. Kontrata është dhënë më 14 maj 2026, ndërsa nënshkrimi i saj pritet të bëhet sot, më 18 maj.

(Kosova Sot Online)