NATO po punon me Kosovën për të ndërtuar rezistencë

  • A.P /
  • 21 May 2026 - 15:15
NATO po punon me Kosovën për të ndërtuar rezistencë

Gjatë takimit me gazetarë në Prishtinë, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Partneritete në NATO, Kevin Hamilton u pyet nëse NATO sheh përpjekje nga aktorë të jashtëm për destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor përmes dezinformimit dhe operacioneve hibride.

Ai tha se NATO po vëren aktivitete të tilla dhe përmendi drejtpërdrejt Rusinë si një nga aktorët kryesorë të përfshirë në këto fushata.

“Shkurtimisht, po, fatkeqësisht. Ne shohim aktorë të jashtëm – dhe do ta përmend kryesisht Rusinë – të përfshirë në fushata dezinformimi dhe aktivitete hibride, jo vetëm këtu në Ballkanin Perëndimor, por edhe në mbarë botën. Është pjesë e strategjisë ruse që të mbjellë përçarje dhe ndasi, përfshirë edhe këtu në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.

Hamilton theksoi rëndësinë e rritjes së vetëdijes qytetare dhe rezistencës së shoqërisë ndaj sulmeve kibernetike dhe dezinformimit.

“Prandaj është shumë e rëndësishme që njerëzit në Kosovë, por edhe në rajon dhe më gjerë, të mbeten vigjilentë. Duhet të ekzistojë një lloj doktrine e rezistencës së gjithë shoqërisë – që qytetarët të kenë njohuri për sigurinë kibernetike, të kuptojnë kur ka fushata phishing apo sulme kibernetike që synojnë të minojnë stabilitetin dhe kohezionin e një shoqërie, si dhe ta njohin dezinformimin për atë që është dhe të kuptojnë se pas tij qëndron një qëllim keqdashës”, tha ai.

Në fund, ai bëri të ditur se NATO po punon me Kosovën për forcimin e kësaj rezistence ndaj kërcënimeve hibride.

“NATO po punon me Kosovën për të ndërtuar këtë rezistencë dhe kjo është diçka që do të vazhdojmë ta bëjmë në të gjithë rajonin dhe më gjerë”, deklaroi ambasadori Hamilton.

(Kosova Sot Online)