Haziri: LDK-ja e ka kandidaten për presidente

  • A.P /
  • 11 June 2026 - 10:00
Haziri: LDK-ja e ka kandidaten për presidente

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij mbetet e vendosur në mbështetjen e Vjosa Osmanit për postin e presidentes së Kosovës dhe nuk po shqyrton alternativa të tjera.

Në një prononcim për Kallxo.com, Haziri tha se LDK-ja tashmë e ka nominuar kandidaten e saj përmes procesit të rregullt zgjedhor dhe është e gatshme të diskutojë për këtë çështje në çdo kohë.

“Ne e kemi kandidaten. E kemi nxjerrë në proces zgjedhor të rregullt. Nominimi ka qenë publik. Në çdo kohë që bisedohet për këtë çështje, LDK është e gatshme”, tha Haziri.

I pyetur se si do të vepronte LDK-ja në rast se emri i Osmanit nuk do të pranonte mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, ai theksoi se partia nuk po mendon për emra të rinj.

Po ashtu, Haziri përjashtoi mundësinë që LDK-ja të tërhiqet nga kandidatura e Osmanit në favor të një figure konsensuale, duke u shprehur shkurt: “Ne nuk njihemi për çështje të tilla”.

Osmani e cila menjëherë pas përmbylljes së procesit zgjedhor deklaroi se “LVV-ja nuk ka asnjë arsye mos ta propozojë për presidente”, të nesërmen tha se “nuk do të jetë pengesë për krijimin e institucioneve të reja.”

(Kosova Sot Online)