Notë e dobët për prokurorinë, gjysma e lëndëve të korrupsionit për vitin e kaluar, barten në këtë vit

Notë e dobët për prokurorinë, gjysma e lëndëve të korrupsionit për vitin e kaluar, barten në këtë vit

Gani Qarri

  • 28 May 2021 - 07:33

Shkruan: Analist - Gani Qarri

Fatkeqësisht Prokuroria e kapur nga politika e inkriminuar, serish po futet edhe në një vit tërësisht të dështuar e stërngarkuar me raste të pa zgjidhura, nga viti paraprak, duke mbledhur lëndët e pazgjidhura penale edhe nga viti i kaluar dhe mos arritur ti trajtojë as gjysmën e lëndëve të pranuara të iniciuara sipas specifikave, natyrës së rastit dhe detyrës zyrtare. Ky alarm vjen pikërisht nga matja e performancës së organeve të hetuesisë që bëjnë në vijimësi organizatat e specializuara jo qeveritare. Në një raport me të dhëna zhgënjyes të publikuar së fundi vihet në spikamë sistemi i drejtësisë- Prokuroria dhe niveli i pakënaqshëm i performancës së saj, për vitin që lamë pas.

Pika më e dobët e zbuluar në raportin e monitorimit të punës së prokurorisë është neglizhenca e trajtimit të rasteve që lidhen kryekëput me korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend. Dhe nga 646 lëndë të korrupsionit sa ishin në dispozicion për tu proceduar në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës në vitin 2020, prokuroritë kanë arritur ti trajtojnë vetëm rreth gjysmën e tyre, apo vetëm 329 sosh, ndërkaq 317 tjera kanë ngelur të pa trajtuara dhe janë bartur në vitin 2021. Pra vet kjo e dhënë nënkupton më së miri situatën e rënduar dhe sfiduese të pamundësisë së ballafaqimit të organit të akuzës më krimin e organizuar në vend.

Për aq më tepër, në këto 646 lëndë të Prokurorit të Shtetit, raportohet se 1,578 persona kanë qenë pjesë e ndjekjes dhe e hetimit dhe prej këtyre 1,578 personave të përfshirë në këto raste, vetëm rastet e 697 personave janë trajtuar, ndërsa mbi gjysma e rasteve të personave tjerë, apo plot 881 raste, janë bartur në vitin 2021.

Kështu që me të drejtë dhe arsye mundë konstatojmë sa alarmuese vazhdon të mbetet bartja e numrit të madh të lëndëve të pa trajtuara nga viti në vit. Në vitin 2020 ishin bartur gjithsej 267 lëndë të korrupsionit nga viti paraprak dhe norma e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës për vitin 2020 konsiderohej të ishte rreth 87 %, që nënkupton së numri i lëndëve të zgjidhura edhe gjatë kësaj periudhe ishte më i ulët se numri i lëndëve të reja të pranuara gjatë vitit, për shqyrtim. Sipas OJQ-ve që monitorojnë punën e prokurorisë kohë zgjatja e përfundimit të të gjitha lëndëve të korrupsionit të Prokurorisë Speciale dhe të shtatë Prokurorive Themelore që janë bartur në vitin 2021, është paraparë të jetë 354 ditë.

Por ajo që shqetëson më tepër dhe bëhet edhe më alarmante është e dhëna se në këto raste ka numër të madh të veprave penale të cilat lidhen me abuzimin e detyrës zyrtare, si në Prokurorinë Speciale ashtu edhe në shtatë prokuroritë themelore, vetëm gjatë periudhës një vjeçare janar-dhjetor 2020 kanë qenë 646 lëndë të tilla.

Megjithëse gjithsej 267 lëndë ishin të trashëguara nga periudha paraprake, ndërsa pjesa tjetër prej 379 sosh të reja -të pranuara gjatë vitit 2020, këto të dhëna flasin hapur për mungesën e guximit të Prokurorisë që të ballafaqohet me kokat e mëdha të krimit të organizuar që për mbulesë shihet se ende kanë politikën e inkriminuar.

Ndaj pikërisht kjo fushë, do të jetë edhe një sfidë tjetër e mundimshme për vendosjen e rregullit, si dhe kërkimit të përgjegjësisë dhe të llogaridhënies , me sanksionime dhe matje reale të performancës të monitoruar sipas ligjit edhe nga ana e ekzekutivit dhe sipas kompetencës dhe obligimit kushtetues, të legjislativit të ri.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".