Kosova tash ka nevojë të madhe për njohje të reja

Kosova tash ka nevojë të madhe për njohje të reja

Gani Qarri

  • 18 February 2022 - 07:56

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Pas kalimit të moratoriumit njëvjeçar, nga Marrëveshja e vitit të kaluar në Washington, e cila ka mese tre muaj që ka skaduar, është momenti vendimtar që Qeveria e Kosovës të fillojë sa më parë, me lobimin për njohje të reja, dhe të mos lejojë të ndikohet nga insistimet e Serbisë okupatore, që moratoriumi i qeverisë kundër kushtetuese Hoti, të vazhdohet edhe nga Qeveria Kurti!

Pas topitjes mbi njëvjeçare, Kosova ka nevojë të madhe për njohje të reja me të cilat do të bëhej forcimi i mëtejmë i konsolidimit të shtetësisë edhe në rrafshin global, ndërsa do të këndellej dhe forcohej edhe imazhi i Kosovës dhe fuqia saj diplomatike, që është pasivizuar tërësisht dhe dëmtuar tepër shumë në planin ndërkombëtar, me “pushimin” e detyruar të lobimit nga marrëveshja në fjalë. Moratoriumi i marrëveshjes së Washingtonit, në Kosovë përveçse u cilësua edhe si antikushtetues, ai për më tepër se një vit, bllokoi të gjitha përpjekjet për sigurimin e njohjeve të reja, përderisa Serbia nuk ka ndaluar për asnjë moment angazhimet e saj të pareshtura me tërë fuqinë diplomatike për bindjen e shteteve që e kanë njohur Kosovën, ta tërhiqnin vendimin e tyre.

Madje këto ditë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, kërkoi që Kosova edhe pas skadimit të moratoriumit, të heq dorë nga lobimi për njohje të reja derisa vazhdon dialogu për marrëveshje mes dy vendeve, sikur shteti i Kosovës, të sundohej nga Serbia, siç është mësuar Aleksandër Vuçiqi gjatë sundimit të Kosovës nga Thaçi dhe partitë e kriminalizuara, ta caktonte ai vet agjendën dhe temat për bisedime, pa llogaritur që edhe Kosova ishte “partnere” në bisedime. Selakovic shkoi edhe më larg, duke kërcënuar se, nëse Kosova fillon të sigurojë njohje të reja, Serbia gjoja nuk do të rrijë duarkryq dhe do ta bëjë “ndryshimin e sjelljes” në rast se Kosova do njihet nga shtete të tjera. Dhe për dallim prej përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, të cilët kanë deklaruar njëzëri se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë, Selakoviq lansoi edhe gënjeshtrën e radhës, se gjoja Serbisë nuk i kërkohet njohja e Kosovës për t’u bërë anëtare e BE-së, dhe këtë Serbia nuk do ta bëjë derisa të anëtarësohet në BE?!

Kështu që, duke besuar se njëjtë si në kohën e kuislingut Thaçi edhe me Qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, Serbia mund ta diktojë agjendën e bisedimeve dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës, ministri i jashtëm serb, përveç deklaratës se Serbia nuk do ta njoh Kosovën, insiston t`ia imponojë Kosovës, që ta formojë asociacionin kundër kushtetues një etnik serb, të cilin e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke gënjyer serish hapur, se kinse sipas tij, kanë marrë garanci “të forta” nga emisarët e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, kur dihet mirëfilli se gjatë vizitës së tyre të fundit, që të dy, kanë deklaruar njëzëri në Kosovë dhe Serbi, se nuk do të ketë asociacion serb me kompetenca ekzekutive dhe as "republika srpska" në Kosovë!

Prandaj është momenti vendimtar dhe më i rëndësishëm, që në mënyrë urgjente të mobilizohet Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës për lobim të koordinuar dhe sa më të fuqishëm që të jetë e mundur, me vendet mike dhe aleatët që sponsorizuan pavarësinë e Kosovës, për sigurimin e njohjeve të reja, aq të nevojshme për Republikën e Kosovës, sidomos tani kur pala serbe pretendon se ka krijuar raporte "tepër" të ngushta bashkëpunimi me SHBA-të, që nuk kanë ekzistuar në vitet 1990-ta, sipas selakoviqit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".