Kosova urgjentisht ta rikthen në funksion Akademinë Policore 3 vjeçare

Kosova urgjentisht ta rikthen në funksion Akademinë Policore 3 vjeçare

Hajrullah Tërnava

  • 15 March 2022 - 07:44

Shkruan: ANALISTI: Hajrullah Tërnava

Me një shkollim të rregullt permanent të punëtorëve të policisë, tani nuk do ti kishim këto probleme dhe të meta në këtë shërbim, sepse edukata disavjeçare që kandidati e merr aty ja krijon kulturën e të qenurit polic në jetësimin e ligjeve pozitive të shtetit, dhe ai polic në të ardhmen do të jetë një profesionist që i jetëson vetëm ligjet pozitive të shtetit të tij, e kurrsesi të jetë edhe vetë pjesëmarrës në krime sikur që po dëshmohen tani.

Një shtet i ri që i krijon institucionet e saja në baza të akteve juridike, sikur që janë kushtetuta dhe ligjet e ati shteti, dhe nëse i jetëson ato akte juridike në fuçi në përpikëri, të gjitha gjasat janë se ai shtet do të funksionoj ashtu si duhet dhe shumë shtete tjera do ia kenë për lakmi në të ardhmen. Shteti i ynë me situatat e paraluftës që një kohë të gjatë ishte i okupuar nga Serbia, megjithatë arriti të mobilizohet dhe me luftën e saj dhe ndihmën që na e bënë për tu çliruar ndërkombëtarët, tani jemi shtet i pavarur dhe i pranuar nga 117 shtete që nga shpallja e pavarësisë të vitit 2008. Mbas luftës 1998-1999 në Kosovë ishte qeveria e përkohshme e UNMIK-ut që e qeveriste Kosovën, deri në shpalljen e pavarësisë tonë.

Qysh pas luftës e sipas marrëveshjes me UNMIK-un, u hapen konkurset për pranimin e policisë së Kosovës. Me që pas luftës kishte përçarje mes partive të mëhershme si gjatë luftës dhe pas sajë, intencat e atyre kohërave ishin që në polici të pranohen polic të rinj e sidomos të tillë që ju takonin krahëve të atyre që lavdëroheshin se “e kanë çlirua” Kosovën, dhe kjo mënyrë e pranimit në bazë të “ngjyrosjeve partiake apo grupore” i ka kushtua Kosovës sa i përket policisë, prandaj tani po i kemi këto dukuri negative në këtë institucion që ishte dashur të jetë shembull i institucioneve të këtyre kohërave. Gjatë kësaj kohe që pranoheshin policët e rinj, ishte një përpjekje që të pranohen të ati krahu që të “fortit” e atyre kohërave e që ishin në qeveri të përkohshme të pranojnë sa më shumë të tillë që ishin në krahun e tyre, gjë që edhe ashtu ndodhi.

Pranoheshin pa ndonjë kriter të fortë, e mjaftueshme ishte që ishte i njohshëm i filan komandanti, dhe kur numri e arriti nivelin e lartë të policëve që tani ishin si në institucionin e punëve të brendshme të Kosovës, e që pranoheshin duke i anashkaluar principet ligjore se si duhet me u pranua kandidati në policinë e Kosovës, në baza të shkollimeve të shkurta në forma të kurseve, e jo si më parë që Akademia e Policisë ishte katër vjeçare, sikur që janë edhe tani në shtetet e BE, është e kuptueshme se për dy, tre, katër, pes apo gjashtë muaj vështirë që mund të mësohet dhe të perfeksionohet një profesion, sikur që është ai i policisë që falë atij shërbimi policor që i jetëson Kushtetutën dhe Ligjet e shtetit ka me u var edhe funksionimi ligjor i ati shteti. Policia është shembulli më i mirë i një shteti të cilin e përfaqësojnë policia e ati shteti, nëse policia është e tillë si e pastër para ligjeve të ati shteti, edhe shteti do të jetë shembull duke i krahasuar me shtete tjera.

Policia e pastër e një shteti e banë të pastër edhe vete shtetin, për me qenë policia e tillë duhet të pranohet në baza të kritereve që i parashohin profesionistët e shkolluar të ati profesioni të policisë, dhe sipas konkursit të paraparë që më parë është krijua ai konkurs, dhe çdo kush që merr pjesë në atë konkurs dhe që i nënshtrohet ati konkursi duhet ti ketë plotësua normat e parapara të atij konkursi, dhe në fund ata që i kanë kalua testet e parapara të ati konkursi të përzgjidhen më të mirët, dhe kushti i fundit duhet të ishte që atyre duhet t’iu bëhet verifikimi nga ana e policisë, se a i plotësojnë kushtet e së kaluarës për tu pranua në polici, që të munden tani të jenë punëtor të policisë, dhe kush i plotëson ato kushte gjithnjë sipas kritereve interne që janë të parapara në konkurs dhe numrit që i nevojiten institucionit, ata duhen të pranohen në Akademi e Policisë, e të cilët duhet tani ta kryejnë kursin për polic.

Me kryerjen e ati kursi ata më suksesshmit caktohen nëpër stacione policore të Kosovës sipas nevojave të stacioneve policore që kanë për polic. Sikur të funksiononte kjo mënyrë e paraparë e pranimit të policisë në këto shërbime, gjithsesi se policia e Kosovës do të ishte pse jo edhe shembull i policive regjionale, sepse nuk do të kishte të pranuar me të njohshëm, e sidomos me të kaluara kriminale sikur po na e dëshmojnë faktet edhe tani, e që nuk iu kanë përmbajtur atyre kritereve të konkursit që i spjegova më lartë. Policia në punët e tyre të përditshme duhet të jenë të pavarur dhe ti nënshtrohen vetëm jetësimit të Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës, dhe të jenë në angazhime permanente sipas autorizimeve dhe hierarkive që i parasheh Ligji i Punëve të Brendshme.

Jo rastësisht tani e kemi një situate të tillë në policinë e Kosovës, e që është duke u bërë alarmante gjendja për shkak të trendit në rritje të korrupsionit, abuzimit me detyrën zyrtare, shkelje ligjore dhe shkelje të tjera që konsiderohen “të lehta” disiplinore, por që po ja humbin qytetarit besimin kurse policisë autoritetin që e ka pasur tek qytetarët. Sipas raporti të fundit të IPK-s, për vitin 2021, janë te arrestuar 38 zyrtarë policorë , janë suspenduar 85, ndërsa janë hetuar 33 raste me elemente të korrupsionit.

Në këtë raport thuhet se IPK gjatë vitit 2021 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 2013 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar ka një ngritje të numrit të ankuesve (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1658 ankesa). Prej tyre 1331 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës. IPK bën të ditur se nga 163 raste me elemente të veprës penale, 106 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 54 raste. Gjithsej gjatë vitit 2021 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 213 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.3% e punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale. Gjatë vitit 2021, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: 38 arrestime; 85 suspendime; 10 transfere”, thuhet tutje në raport. Në të ardhmen shteti i Kosovës duhet të angazhohet dhe ta spastroj policin nga ata që janë të përlyre në krime sikur që po dëshmohet.

Me verifikimet që duhet të zhvillohen për të gjithë, duhet të dëshmohet se a e meritojnë këta njerëz të jenë zbatues të ligjeve në fuçi, dhe njëherit për të mirën e vendit ta rikthejnë në funksionim shkollën profesionale të policisë sikur që ekzistojnë në shtetet e BE-së, e që zgjasin tri vjet, dhe konsiderohet si shkollë e mesme sikur shkollat tjera që ekzistojnë në vendin tonë. Në këtë shkollë nxënësi-kadeti ka me qenë i angazhuar 24 ore sipas rendit shtëpiak që e ka ajo Akademi, dhe përpos lëndëve të përgjithshme, sikur në shkollat tjera, aty ka me i pas të obligueshme lëndët profesionale, sikur: fillet e së drejtës, e drejta penale, kriminalistika (teknike,taktike, metodologjike) kriminologjija, e drejta ndërkombëtare, medicina gjyqësore, rregullat e shërbimit policor, neuropsihopatologjija, siguria e shtetit, shkathtësitë profesionale luftarake (xhudo, xhudista,karate etj) mbrojtja ushtarake-taktikat, teknikat ushtarake e tjera lëndë sipas rregullores që i parasheh ajo Akademi. Kadetët e kanë pasur obligim ti përvetojnë edhe teknikat e notit dhe skijimit përmes kurseve dy javore si dhe ushtrimet ushtarake një muajsh nëpër vendet malore, ku jetohej nëpër kazerma apo tenda të ndryshme. Me te kryer të shkollë kadetëve ju pranohej edhe shërbimi ushtarak.

Gjatë shkollimit të tyre, përpos ushqimit dhe uniformave dhe sigurimit social ata nuk kanë qenë të paguar me të ardhura personale-rroga. Nxënësin i cili e ka përsëritur vitin ( ngelur) ai e ka humb të drejtën e vazhdimit të shkollimit të mëtutjeshëm. Me një riaktivizim të asaj Akademie, edhe ajo shkollë do ta rikthente autoritetin dhe reputacionin e asaj shkollës policore sikur që e ka pas dikur e që e kanë edhe shumë Akademi në shtetet e perëndimit, e jo si tani të quhet Akademia Policore, në të cilën kryhen vetëm kurse disa mujore. Vetëm me shkollimin e rregullt disavjeçar të policisë, do të arsyetohej edhe emri i tashëm që quhet Akademi Policore. Me një shkollim të rregullt permanent të punëtorëve të policisë, tani nuk do ti kishim këto probleme dhe të meta në këtë shërbim, sepse edukata disavjeçare që kandidati e merr aty ja krijon kulturën e të qenurit polic në jetësimin e ligjeve pozitive të shtetit, dhe ai polic në të ardhmen do të jetë një profesionist që i jetëson vetëm ligjet pozitive të shtetit të tij, e kurrsesi të jetë edhe vetë pjesëmarrës në krime sikur që po dëshmohen tani.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".