Zvarritja për 6 vjet në gjykimin e aferës korruptive “TOKA”, me kryeprotagonist Azem Sylën e PDK-së

Zvarritja për 6 vjet në gjykimin e aferës korruptive “TOKA”, me kryeprotagonist Azem Sylën e PDK-së

Gani Qarri

  • 08 April 2022 - 07:30

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes bashkëveprimtareve kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive, ndërsa për shkak të përmasës së shtrirjes së rrjetit kriminal, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar edhe në Beograd, për shkak të bashkëpunimit në falsifikim të dokumentacionit, nga personat e lartcekur, në Kosovë dhe Serbi.

-Procesi i stërzgjatur i rastit të njohur si “Toka”, ku ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe 16 të tjerët, që nga viti 2016 akuzohen për vepra të ndryshme penale, lidhur me korrupsionin galopant dhe krimin e organizuar masiv, sipas paralajmërimeve më të reja, pas gati 6 vitesh ndërprerje, pritet të fillojë përfundimisht me 9 dhe 10 qershor të vitit 2022. Ky është njëri nga rastet e shënjestruara të ndërlidhur edhe me liberalizimin e vizave, së bashku me rastin e Stendave dhe aferën e vizave në Ambasadën Italiane, në krye me të kryedyshuarit Ukë Rugova e Milaim Zeka dhe 13 persona të tjerë të akuzuar për mashtrim.

Siç dihet tanimë nga opinioni i gjerë, fillimi i gjykimit të rastit famoz “Toka” daton që nga dhjetori i vitit 2016, kur procesi ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve, çuditërisht ka pushuar pa asnjë shpjegim dhe përveç vonesës mese 6 vjeçare, pritet që i gjithë procesi i gjykimit të nisë serish nga pika zero! Lajmin në fjalë, e ka bërë të ditur vet gjykatësi Arben Hoti, të cilit i është ndarë kjo lëndë, rasti i zvarritur, harruar, e i lënë qëllimisht zvarrë përmes të cilit po dëshmohet edhe një herë më tepër, se sa thellë është i kapur sistemi gjyqësori i Kosovës nga strukturat e mafio politikës, dhe dora e zgjatur e SHIK-ut ilegal, kur dihet se në procesin e gjykimit të kësaj afere, të dyshuarit kryesor janë pikërisht emrat qendror të kupolës drejtuese të SHIK-ut, dhe njerëz të afërt, e vartës të këtyre figurave të dyshimta mafioze.

Madje ndoshta ky ishte edhe shkaku vendimtar që rasti i njohur si “Toka”, ku ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe 16 të tjerët, akuzoheshin për vepra penale, megjithëse ishte afër përfundimit të procesit, që nga viti 2016 e deri më tani, është heshtur me arsyetimin se gjykatësi Beqir Kalludra, ishte avancuar në detyrë, ndaj edhe pritet të fillojë na pika zero me 9 e 10 qershor 2022. Për habi të qytetarëve dhe mbarë opinionit publik të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë ia kishte ndarë gjykatëses Shpresa Hasaj Hyseni, por për turpin e saj dhe të gjykatës,ajo nuk kishte mbajtur asnjë seancë të vetme?! Kështu që bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet të rishqyrtohen edhe njëherë që nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ndërsa në padinë e fundit, të ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla. Sipas PSRK-së, Azem Syla kishte qenë edhe udhëheqës kryesor i këtij grupi, ndërsa bashkë me Azem Sylën janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj. Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme gjyqësore ”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Për aq më tepër, ky gjykim që në nisje të procesit është karakterizuar me zvarritje edhe në kohën kur gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it. Të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes bashkëveprimtareve kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive, ndërsa për shkak të përmasës së shtrirjes së rrjetit kriminal, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar edhe në Beograd, për shkak të bashkëpunimit në falsifikim të dokumentacionit, nga personat e lartcekur, në Kosovë dhe Serbi. Prandaj lind dyshimi se edhe maratona e dytë e kij procesi gjyqësor, që do të përsëritet nga fillimi, rrezikon për ta zhvlerësuar aferën dhe dëmtuar provat, në pamundësi të ri marrjes së dëshmive të serishme nga dëshmitarët që mundë të mos jenë më ndër të gjallët, si dhe ata që tashmë janë “pajtuar” për të mos u paraqitur në këtë proces, në mënyrë që raundi i dytë të arrij vetëm efekt formal të gjykimit, sa për statistika, pa nxjerr asnjë rezultat, nëse eventualisht arrin të përfundohet, pa e zënë skenari për tu parashkruar dhe pushuar së gjykuari.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".