Diplomacia ndërkombëtare e fillon vitin e ri me  presion të shtuar  mbi Serbinë dhe Kosovën për arritjen e marrëveshjes finale

Diplomacia ndërkombëtare e fillon vitin e ri me  presion të shtuar  mbi Serbinë dhe Kosovën për arritjen e marrëveshjes finale
Diplomacia ndërkombëtare e fillon vitin e ri me  presion të shtuar  mbi Serbinë dhe Kosovën për arritjen e marrëveshjes finale

Gani Qarri

  • 08 January 2023 - 08:55

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

 

Me 11 apo 12 janar pritet që zyrtari i lartë amerikan, Derek Chollet, këshilltar special i Departamentit të Shtetit, ta vizitojë Serbinë, përderisa në Kosovë, menjëherë pas përfundimit të atmosferës festive të ndërrimit të moteve, ka arritur dhe zhvilluar takime me krerët e shtetit, i dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stjuart Peach.  Prandaj ky pritet të jetë viti vendimtar për të arritur një marrëveshje kompromisi me Serbinë, nën trysnisë ndërkombëtare mbi palët në proces.  

 

 

Projekti i shumëpërfolur franko gjerman tanimë u është dorëzuar të dyja palëve, si propozim të zgjidhjes transitore duke anashkaluar kërkesën recidive për njohje de jure, e që de fakto nënkupton tërthorazi njohjen.   Por pikë e nxehtë në këtë proces po vazhdon jetë kërkesa e sforcuar nga Serbia, si dhe ndërmjetësuesit në dialog për marrëveshjen e Asociacionit. E duke vlerësuar këtë si rrezik shumë serioz për shtetin, modeli i asociacionit  sipas marrëveshjeve 2013 dhe 2015  është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga spektri i gjerë politik, pikë e cila ka zgjuar kundërshtim të fuqishëm edhe nga lobi shqiptar në perëndim dhe kudo në diasporë ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Kundër trysnisë ndaj Kosovës nga diplomatët e SHBA-së dhe BE-së për asociacionin, kanë reaguar edhe 17 organizata amerikano-shqiptare, të cilat  kanë kërkuar nga diplomatët amerikanë dhe ata evropianë që të mos ushtrojnë trysni ndaj Kosovës me kërkesa ultimative për asociacionin. Asociacioni është shtet brenda shtetit dhe është kontestuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, pasi që paraqet rrezik për sovranitetin e vendit, tërësinë territoriale dhe shtetin e Kosovës.  Ata kanë kritikuar veçanërisht emisarin amerikan, Gabriel Escobar, si dhe ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher R. Hill, për deklaratat e tyre se Kosova duhet të bëjë lëshime në raport me Serbinë?! Prandaj bazuar në të drejtat e minoriteteve, ata kanë kërkuar që të ketë reciprocitet mes shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe pakicës serbe në Republikën ne Kosovës.  Madje për asociacionin një etnik serb, organizatat e lartcekura, me të drejtë deklarojnë, se në formën çfarë e kërkon Serbia, asociacioni, do të minonte sovranitetin, shkakton mosfunksionim të shtetit, njëjtë si në Bosnjë dhe rrezikon tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës.  “Krijimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, siç po kërkohet, do të ishte shkatërrues ndaj rendit kushtetues dhe karakterit shumetnik që Kosova e mishëron, duke e bërë shtetin jofunksional dhe të pa qeverisshim, ashtu siç ka ngjarë në Bosnje. Prandaj ShBA-ja dhe BE-ja duhet ta kuptojnë qartë dhe ta pranojnë që gjendja aktuale nuk është çështje e të drejtave të pakicës serbe. Pakica serbe ka të drejta të mëdha – të garantuara me kushtetutën e Republikës së Kosovës – të cilat ne vetëm mund t’i dëshirojmë që Serbia t’ua njohë mbi 120,000 shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës”.  

Në fund këto organizata, e bëjnë të qartë, se trysnia ndaj Kosovës mund të ketë pasoja, prandaj tehu i trysnisë duhet të orientohet tek Serbia që 23-24 vite pas çlirimit, të detyrohet ta pranojë realitetin dhe ta njoh pavarësinë e Kosovës.  

 “Ky është një moment kyç në histori që të adresohet jo-stabiliteti i krijuar nga interesat hegjemoniste të Serbisë dhe të kthehet rajoni në rrugën e paqes e mirëqenies ekonomike.  Dhe e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është që pa humbur kohë, ti bëhet me dije Serbisë – që ajo ose do ta pranojë pavarësinë e Kosovës ose do ta gjejë veten në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Perëndimin, NATO-n, dhe çdo aspiratë që mund ta ketë për të hyrë në BE”, thuhet në deklaratën e  nënshkruar dhe publikuar nga  17 Organizatat shqiptaro-amerikane.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".