Drejtësia e inkriminuar në bashkëjetesë me krimin e organizuar përgatisin skenarët e parashkrimit të veprave penale me porosi të dirigjuar

Drejtësia e inkriminuar në bashkëjetesë me krimin e organizuar përgatisin skenarët e parashkrimit të veprave penale me porosi të dirigjuar
Drejtësia e inkriminuar në bashkëjetesë me krimin e organizuar përgatisin skenarët e parashkrimit të veprave penale me porosi të dirigjuar

Gani Qarri

  • 20 January 2023 - 07:42

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Madje një praktikë e tillë e dyshimtë e bashkëpunimit të Prokurorisë dhe gjyqësorit me krimin e organizuar ka filluar të praktikohet edhe në këtë vit, më rastin e parë i cili është ndërprerë për tu vjetërsuar dhe parashkruar lënda, e pikërisht kështu veproi edhe Gjykata Themelore në Ferizaj e cila me 16 janar refuzoi aktakuzën për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, Xhabir Zharku, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik.

Pronë kjo që në fakt i takonte komunës, por Zharku, pa i zbatuar procedurat të cilat parashihen me Ligjin për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, ani pse ky ligj ka qenë në fuqi, iu kishte dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës komuna do të fitonte 20% në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN “Çlirimtarët“.

Megjithatë të hënën e 16 janarit të këtij viti, Zharku u shpall i pafajshëm, me arsyetimin se veprat penale në akuzë janë kryer në vitet 2008-2010, andaj trupi gjykues ka vendos me kodin më të favorshëm bazuar në dispozitat e kodit. Kjo dëshmon edhe njëherë më tepër se si po vazhdon pa shkëputshim dhe pa asnjë lloj përgjegjësie ligjore e penale, orkestrimi i lëndëve serioze për krim e korrupsion, të jakave të bardha të politikës, të cilat qëllimisht po zvarriten e vonohen deri në fund, në mënyrë që pastaj me procese të improvizuara gjyqësore, gjykimet të përfundojnë me parashkrim, siç ndodhi edhe me Zharkun!

Madje një praktikë e tillë e dyshimtë e bashkëpunimit të Prokurorisë dhe gjyqësorit me krimin e organizuar ka filluar të praktikohet edhe në këtë vit, më rastin e parë i cili është ndërprerë për tu vjetërsuar dhe parashkruar lënda, e pikërisht kështu veproi edhe Gjykata Themelore në Ferizaj e cila me 16 janar refuzoi aktakuzën për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku. Madje gjyqtari Ibrahim Idrizi e arsyetoi vendimin e tij, se paska kaluar dyfishi i kohës nga kryerja e veprës penale të Zharkut, e për aq më tepër edhe shpenzimet e procedurës, tha se bien në barrë të mjeteve buxhetore, kurse e dëmtuara në këtë rast, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), zyra rajonale në Gjilan, udhëzohet në kontest civil, për të realizuar kërkesën pasurore-juridike. Zharku akuzohej se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, më 11 shkurt 2010 në Kaçanik, i akuzuari Zharku, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale numër 03/1.-040, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare. Edhe pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin, kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva – Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.246/09, të 29 janarit 2010.

Madje për habi, në aktgjykim, thuhet se paditësit NTN “Bardhi” nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin, iu ka njohur e drejta e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë e evidentuar si parcela kadastrale numër 650/03, me sipërfaqe 0.30,43 ha, e evidentuar në fletën poseduese numër 86 Komuna Kadastrale Kaçanik, e cila paluajtshmëri ka qenë pronë shoqërore në emër të Komunës së Kaçanikut. Kështu që, Zharku akuzohej se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së, ndaj në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Por pas dënimit Zharku ishte arratisur nga Kosova dhe vendosur në Suedi, i cili përkundër akuzës që rëndonte mbi te, në disa raste kishte marrë pjesë edhe në organizime të institucioneve të Kosovës. Në Suedi ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, kurse më 7 qershor 2018, ishte kthyer serish në Kosovë, pasi që "ligjërisht" kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit tij me burg. E sikur mos të mjaftonte e gjithë kjo, rasti më i freskët që është duke u improvizuar, për të dështuar dhe arritur afatin për tu parashkruar, është rasti emblemë i krimit të organizuar i njohur si rasti "TOKA", në të cilin kryeprotagonist është ish deputeti i PDK-së Azem Syla dhe të tjerët. Zvarritjet nuk gjejnë fund me arsyetimin se një i akuzuar kishte kontroll mjekësor, duke dështuar edhe seanca e radhës e procesit gjyqësor për rastin “Toka”, dhe këtë duke arritur një kërkesë në gjykatë në momentin e fundit, nga i akuzuari Shaban Syla, përmes mbrojtjes së tij, për vizitat mjekësore të cilat janë caktuar të realizohen pikërisht më 13 dhe 18 janar 2023.

Kurse më 17 nëntor të vitit 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.G, pasi që për të njëjtin ishte caktuar të përpilohej një ekspertizë psikiatrike dhe eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor. Siç dihet deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe të tjerët, që nga viti 2016 akuzohen për vepra të ndryshme penale të cilat lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, ndërsa në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë vetë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast. Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë. Në fillim kjo lëndë u mor përsipër nga gjykatësi Beqir Kalludra, por në momentin që gjykimi ishte afër përfundimit, gjyqtari Kalludra u avancua në pozitë, gjë që me apo pa qëllim, kjo lëndë mbeti pa u përfunduar. Të njëjtën lëndë, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë, prandaj megjithëse rasti ishte quar deri në përfundim nga gjykatësi Kalludra, tani sipas nenit 311, paragrafi 3, rasti duhet të rinis përsëri, me arsyetimin se këtë e përcakton i Kodit të Procedurës Penale, i cili thotë: “Kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe të shqyrtohen, përsëri të gjitha provat”.

Prandaj bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, tani Arben Hoti. Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, edhe në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it. Kurse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, e në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi. Dhe bashkë me Azem Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura, ndërsa gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, me arsyetimin se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë. Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd për shkak të rrjetit të madh të përfshirjes në këtë krim, nga qytetar serb të Kosovës, të cilët kanë falsifikuar dokumentacionin në institucionet paralele që funksionojnë në Serbi, në emër dhe me dokumentacion të vjedhur nga Kosova.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".