Prokurorët që dështojnë në mbrojtjen e kallëzimeve penale nuk kanë vend në drejtësi, janë kryekëput të lidhur me krimin e organizuar

Prokurorët  që dështojnë në mbrojtjen e kallëzimeve penale  nuk kanë vend në drejtësi, janë kryekëput të lidhur me krimin e organizuar
Prokurorët  që dështojnë në mbrojtjen e kallëzimeve penale  nuk kanë vend në drejtësi, janë kryekëput të lidhur me krimin e organizuar

Gani Qarri

  • 23 January 2023 - 07:35

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Prokurorët e dështuar, të kapur e të shantazhuar, përveçse lejohen edhe më tej, të punojnë të pa trazuar duke marrë në mënyrë të padrejtë dhe tërësisht të pamerituar paga të majme nga shteti, rastet e tyre të predisponuara me vetëdije për dështim, nuk kanë të ndalur.

-Siç dihet tanimë edhe nga mbarë opinioni i gjerë, ka kohë,që ka marrë hov një praktikë e habitshme, ku prokurorët e dështuar dhe të nënshtruar ndaj rrjeteve kriminale, ushtrojnë kallëzime penale ndaj të dyshuarve për vepra të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, por çuditërisht, kur shkojnë në gjykim, «nuk kanë» fakte për ta mbrojtur aktakuzën dhe humbin raste të panumërta të cilat defilojnë kot së koti, nëpër gjykatat anë e mbanë Kosovës.

Ndaj një metodë e tillë e turpshme e dështimit në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përveçse është tërësisht e papranueshme, ajo nga njerëzit brenda sistemit të drejtësisë së kalbur dhe të lidhur me politikën e inkriminuar, është kthyer edhe në praktikë të pa pranueshme, me qëllim të shantazhit dhe etiketimit të njerëzve të caktuar që shihen si rival në politikë apo biznes të njerëzve të fuqishëm, gjë që duhet luftuar me të gjitha mjetet dhe mundësit ligjore. Madje prokurorët e dështuar, të kapur e të shantazhuar, përveçse lejohen edhe më tej, të punojnë të pa trazuar duke marrë në mënyrë të padrejtë dhe tërësisht të pamerituar paga të majme nga shteti, rastet e tyre të predisponuara me vetëdije për dështim, nuk kanë të ndalur.

E më së miri, për këtë flet, aktvendimi më i freskët lirues në Prizren, ku nga akuza për korrupsion, lirohen ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit dhe ish-krye shefi i Infrakos-it, me aktgjykimin e shpallur të premten në Gjykatën Themelore të Prizrenit nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, madje prokurorja, përveçse ka dështuar ta mbrojtur aktakuzën, aty është harruar të fitohet i akuzuari edhe në gjykim?! Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaçit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, por me 16 janar Prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj bashkëpunëtorit profesional të Infrakos-it në Prizren, Naim Avdyli.

Të akuzuar të këtij rasti ishin tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, si dhe ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit Bashkim Krasniqi dhe ish-krye shef ekzekutiv i Infrakos-it Agron Thaçi. Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaçi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.

I akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, më 9 gusht 2012 ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 25 korrik 2013 leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija. Por bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, Plani Urbanistik nr.04/L-063, i 18 tetorit 2012, është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat dhe ka shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm Infrakos-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

Edhe i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, e bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, është në kundërshtim me ligjin nr.04/L-063. për Hekurudhat. Në aktakuzë thuhet se ata i kanë shkaktuar dëm Infrakos-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë, përderisa edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, më 6 mars 2017, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, po ashtu më 3 maj 2017,leje ndërtimi është lejuar edhe për personin Agron Kuka.

Leje ndërtimi më 29 nëntor 2016, është lëshuar edhe për Mexhid Karavidajn, si dhe për Ndrec Thaçin, më 8 prill 2017, ndaj bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, është po ashtu, në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, duke i shkaktuar dëm Infrakos-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.

I akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspekcion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, që ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij. Ai ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, që bazuar në Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, por sipas aktakuzës Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë, përkundër konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014. Madje nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet edhe pse ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave Infrakos-it dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues, duke shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit. Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i padituri Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ai ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.

Ndërkaq, i akuzuari Thaçi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e krye shefit të Infrakos-it, thuhet se nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, megjithëse në nenin 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë as në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i 18 tetorit 2012, që është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS-it”.

Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë Infrakos-it nuk i përmbushi detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat,për masat e parandalimit të veprimeve të ndaluara, si ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së Infrakos-it. Kështu që, të gjithë të akuzuarit, ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

Mirëpo të gjitha këto pika ligjore, Prokuroria ka dështuar për ti mbrojtur dhe provuar në procesin gjyqësor që është përmbyll të premten më 20 janar dhe çuditërisht, që të gjithë të akuzuarit janë liruar. Prandaj edhe ky rast, si qindra raste të tilla që shëtisin për kohë të gjatë nëpër gjykatat tona, janë dëshmitë më bindëse, të një sistemi tërësisht të kapur e të degraduar i cili me urgjencë duhet spastruar, profesionalizuar dhe shkëputur nga ndikimi dhe lidhjet më nëntokën e krimit të organizuar si dhe strukturat e mafio politikës të emëruara në Prokurori dhe gjykata, pikërisht për ta zgjedhur momentin kritik kur duhet intervenuar, për ta devalvuar çfarëdo prove të pa kontestueshme dhe pamundësuar gjykimin meritor të krimit, abuzimit me ligjin, që nga ata, po mbahet i uzurpuar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".