Regjimit në Beograd po i mbyllen rrugët e manipulimit, ose zbatim i marrëveshjes me Kosovën ose fillon zbatimi i izolimit

Regjimit në Beograd po i mbyllen rrugët e manipulimit, ose zbatim i marrëveshjes me Kosovën ose fillon zbatimi i izolimit
Regjimit në Beograd po i mbyllen rrugët e manipulimit, ose zbatim i marrëveshjes me Kosovën ose fillon zbatimi i izolimit

Gani Qarri

  • 05 April 2023 - 11:06

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Ambasadorët e vendeve që hartuan planin franko-gjerman, francezi Olivier Guerot dhe ai gjerman Jorn Rohde kanë folur në Prishtinë për marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Serbisë dhe mbi të ardhmen e saj, duke konstatuar se aktualisht ka deklarata të padobishme, por s’ka tregues që palët s’do ta zbatojnë marrëveshjen.

-Fatmirësisht duket se më në fund faktori ndërkombëtar ka vendosur që t`ia tregojë “dhëmbët” Serbisë, dhe bëjë qartë, me dije se nuk ka më lutje e përkëdhelje në raport me politikën e saj ndaj Kosovës dhe pa normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve nuk ka integrim në BE! Komisioni Evropian, me qëndrimin e vet publik, plotësisht e ka bërë të qartë, se ritmi i mëtutjeshëm i negociatave të pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian do të kushtëzohet nga progresi në fushën e sundimit të ligjit dhe normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Kështu është shprehur vet zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero dhe sipas saj, negociatat për normalizim me ndërmjetësimin e BE-së janë pjesë integrale e negociatave dhe se “paqja, pajtimi e zhvillimi ekonomik, janë parakushtet kryesore për përparimin e përshpejtuar të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së”. Prandaj siç është deklaruar edhe nga çdo përfaqësues i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri në Ohër, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është para së gjithash në interes të popullit të Serbisë dhe Kosovës, për stabilitet më të gjerë rajonal dhe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të përparojnë në rrugën e tyre evropiane” thotë në portalin European Uestern Balkan, zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero. Kjo nënkupton pritjen që vendet kandidate të zbatojnë reforma në grupe dhe kapituj të ndryshëm, duke filluar nga ‘bazat’, ku përfshihet shteti i së drejtës. Këto janë kapitujt e parë që hapen në procesin e anëtarësimit dhe të fundit që mbyllen, në përputhje me metodologjinë e përmirësuar”, tha ajo.

Takimi i fundit mes Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit serb Vuçiq ka qenë një ndër takimet më maratonike, të zhvilluara në Ohër, dhe vetëm në mesnatë, në orët e vona të 18 marsit, krye diplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje, pas një dite maratonike të diskutimeve. Palët u pajtuan për zbatimin e aneksit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën janë marrë vesh më 27 shkurt në Bruksel, kurse javët e fundit negociatat janë intensifikuar. Kështu që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq u takuan dy herë, në fund të shkurtit në Bruksel dhe në mes të marsit në Ohër, ku me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve,megjithëse ata ende nuk kanë nënshkruar asgjë. Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel i konsideron të dyja palët njëlloj fajtore për vonesën e negociatave dhe nënshkrimit të marrëveshjes prandaj edhe kërkon kompromis të dyanshëm.

“E di që është më e lehtë të fajësohet (presidenti serb Aleksandar) Vuçiq, por ai e kupton që e ardhmja e Serbisë nuk do të jetë në Rusi apo Pekin. Populli i tij nuk do të studiojë apo blejë në Moskë. Shumica e të rinjve në Serbi e shohin të ardhmen e tyre në pjesën perëndimore të Evropës”, shtoi ajo. “Por Prishtina nuk i lehtëson gjërat dhe nuk ndihmuan aspak duke u thënë të gjithëve para takimit në Ohër se nuk do të pajtoheshin me asgjë të ngjashme me Asociacionin. Unë mendoj se faji është, për fat të keq, i ndërsjellë”, ka deklaruar von Cramon në Bruksel. Serbia e kritikon Kosovën për moslejimin e formimit të Asociacionit, të cilin Kosova, nga ana tjetër, e krahason me Republikën Srpska në BeH, duke aluduar për paqëndrueshmërinë e kontribuar nga autoritetet e këtij entiteti me shumicë serbe.

Për të arritur marrëveshjen dhe ecur më shpejtë në rrugën e BE-së Cramon kërkon kompromis të dyanshëm ose do të bllokohet procesi i integrimit. “Nëse nuk gjejmë një kompromis nga të dyja palët, nuk do të shohim përparim të rëndësishëm në integrimin evropian apo stabilizimin e rajonit. Për mua nuk ka dyshim, ne duhet ta mbrojmë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë që të respektohet ajo që u nënshkrua në Bruksel në vitin 2013”, përfundoi raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel. Ambasadorët e vendeve që hartuan planin franko-gjerman, francezi Olivier Guerot dhe ai gjerman Jorn Rohde kanë folur në Prishtinë për marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Serbisë dhe mbi të ardhmen e saj, duke konstatuar se aktualisht ka deklarata të padobishme, por s’ka tregues që palët s’do ta zbatojnë marrëveshjen.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".