Kosova ka nevojë për të importuar prokuror të guximshëm e të pa korruptuar nga shtetet mike, për ta luftuar rrënjësit nëntokën kriminale dhe krimin e organizuar

Kosova ka nevojë për të importuar prokuror të guximshëm e të pa korruptuar nga shtetet mike, për ta luftuar rrënjësit nëntokën kriminale dhe krimin e organizuar
Kosova ka nevojë për të importuar prokuror të guximshëm e të pa korruptuar nga shtetet mike, për ta luftuar rrënjësit nëntokën kriminale dhe krimin e organizuar

Gani Qarri

  • 06 May 2023 - 09:05

Shkruan: Analisti - Gani Qarri

Rastet e vendimeve skandaloze dhe gjithnjë e më kontroverse të gjykatave të kapura nga krimi e korrupsioni dhe politika e inkriminuar në Kosovë, të cilat as pas 24 vitesh të çlirimit, nuk janë në gjendje të marrin vendime të drejta ligjore dhe të pa ndikuara nga interesat materiale, partiake e farefisnore, e bënë të domosdoshme që shteti i Kosovës, të importojë të paktën për 10 vite, 300 gjyqtar dhe 100 prokuror nga vendet mike si SHBA-të, Anglia, Gjermania, Holanda, Suedia, Norvegjia etj, derisa të spastrohet i gjithë sistemi i drejtësisë dhe të rivendoset rendi e ligji në binar normal.

-Kjo edh për faktin se me një gjyqësi të tillë të kapur e të korruptuar deri në fyt, çfarë ekziston sot, Kosova, nuk mund ta përmbush asnjë detyrim ligjor dhe avancimin e shtetit të së drejtës, për rrugëtimin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Vetëm gjyqtarët dhe prokurorët e sjellë nga vendet e lartcekura, nuk do të binin nën ndikimin e politikës, në konflikte interesi, apo edhe të korruptoheshin "ashiqare" siç ndodhë me gjykatësit dhe prokurorët pa-kurrizor në Kosovë. Një hap të tillë e bën të domosdoshëm vet fakti se njerëzit e politikës dhe ish pushtetarët e inkriminuar të cilët me dekada kanë zhvatur, jo vetëm djersën e qytetarit të Kosovës, por kanë “ngrënë” edhe themelet e shtetit tonë të brishtë, me gjithë ndryshimet politike në vend, vazhdojnë të mbeten të pa prekshëm nga ligji e drejtësia dhe ndjekja penale.

Katrahura e gjykimeve në Kosovë vërtetohet edhe me rastin më të freskët, i cili ka përfunduar në mënyrën më skandaloze të mundshme, që ka irrituar edhe qytetarin më të thjeshtë të këtij vendi, sepse nga ish ministrja Hoxha dhe bashkëpunëtorët e saj, të akuzuar në gjykatë, kompanisë franceze “Majorelle PR and events”, iu falën mese 180 mijë euro, kurse kompanisë “Madison Global Strategies LLC”, më shumë se 150 mijë euro tjera, që është shumë tepër e madhe, në krahasim me gjendjen gjithnjë e më të rëndë financiare të qytetarëve të Kosovës. Një gjykatë e tillë cila përkundër këtyre fakteve, ka guximin ti lirojë tërësisht nga aktakuza jo vetëm ish-ministren famoze "të Integrimeve evropiane" Dhurata Hoxha por edhe gjithë ekipin e sajë, ani pse ishin të akuzuar individualisht dhe në grup, për keqpërdorim detyre dhe korrupsion, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, kjo nuk mund të kapërdihet assesi, sepse këtu flitet për keqpërdorim të shumave marramendëse të taksapaguesve të varfër të Kosovës të cilat bashkërisht arrijnë shifrat e mbi 330 mijë eurove?!

Ndaj, me të drejtë lind pyetja e patejkalueshme se si mund të ndodhë vetëm në Kosovë gjithë ky kaos në gjykata, ku të gjitha aktakuzat e ngritura kundër ish zyrtarëve të shtetit dhe “peshqëve të mëdhenj” të ish pushtetit, po rezultojnë të pa argumentuara dhe të destinuara për dështim, duke përfunduar pothuajse secili i ashtuquajtur proces gjyqësor, kundër figurave të mëdha politike, pa vendime dënimi, pa marrjen e asnjë kundërmasave ligjore as ndëshkuar, sipas ligjit, duke rrëzuar të gjitha aktakuzat dhe liruar nga të gjitha paditë penale? Vendimi i fundit është marrë pikërisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka shpallur aktgjykim lirues jo vetëm ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha,por edhe dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha e Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, gjë që la pa mend mbarë opinionin publik, për vet faktin se këtë kaos të vendimeve të njëpasnjëshme skandaloze, nuk po arrijnë më ta akceptojnë, as qytetarët më të thjeshtë të Kosovës. Krejt kjo po bënë që të vërtetohet tanimë edhe me fakte materiale se njerëzit e politikës dhe ish pushtetarët që me dekada kanë zhvatur, djersën e qytetarit, vazhdojnë të mbeten të pa prekshëm nga ndjekja penale.

Madje sipas gjykatësit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor, nuk paskan provuar faktet që përbëjnë, as elemente të kryerjes së veprës penale nga Dhurata Hoxha dhe të gjithë personat e bashkë akuzuar në këtë rast!? Kështu që dhe mundë të dyshohet me plot të drejtë, se krejt ky rast është montuar në kooketimin kriminal mes prokurorit të rastit, gjyqtarit të çështjes dhe avokatit mbrojtës, që në praktikën e gjykatave të Kosovës, tanimë ka kohë që është bërë praktikë, e të gjithë atyre që tash e sa vite ia bëjnë avokatinë, në mënyrë besnike krimit të organizuar, aq më tepër kur bëhet fjalë për politikanë, që ishin e ndoshta janë edhe sot, “sponsorët” e gjykatësve dhe prokurorëve, në pozitat në të cilat janë emëruar.

Dhe për të qenë edhe më absurd vendimi i gjykatës që mori këtë vendimi skandaloz, udhëzon Qeverinë e Kosovës, si palë e dëmtuar, që për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, të ushtrojë padi në kontest civil, kurse kundër këtij aktgjykimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit, në afatin prej 30 ditësh. Ndryshe, në arsyetimin e gjykatës, ndër tjera u tha se në bazë të provave të administruara, nuk është vërtetuar qëllimi kriminal i të akuzuarve, ngase nuk është provuar që të gjithë të akuzuarit, kanë pasur të njëjtin qëllim për t’i ofruar, përfitim pasuror kompanisë “Majorelle PR & Events” . Tutje, sipas aktgjykimit, gjykata konstaton se të pandehurit nuk i kanë tejkaluar kompetencat, e mundësia e përfitimit, është supozuar nga ana e Prokurorisë dhe jo provuar, sepse të pandehurit nuk kanë përfituar për vete?! Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 1 shtator 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa, akuzoheshin se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani, akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së. Sipas aktit akuzues, ish-ministrja Hoxha, më datë 11.05.2018, ka tejkaluar kompetencat e saja duke dërguar kërkesë tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, tani i pandehuri Demush Shasha, nisjen e procedurave tenderuese për aktivitetin Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së, duke përcaktuar kompaninë “Majorelle PR and events” si operator me të cilin duhej të lidhej kontrata. Aktakuza thotë se ky veprim është ndërmarrë edhe pse bazuar në ligj kjo nuk ishte kompetencë e ministres Hoxha e cila në këtë mënyrë operatorit të lartcekur i ka mundësuar përfitim në vlerë prej 180 mijë eurosh.

Ndërsa akti akuzues thotë se ish-ministrja Hoxha, më datë 21.02.2019 kishte marrë përsëri të njejtat veprime, për vazhdimin e kësaj kontrate. Aktakuza ngarkon ish ministren se ka vepruar në të njëjtën dhe për të njëjtin aktivitet të prokurimit duke i mundësuar edhe kompanisë tjetër “Madison Global Strategies LLC” përfitimin në vlerë prej më shumë se 150 mijë eurosh.

Lidhur me këto akte të tenderimit po akuzohen edhe Drejtori i Divizionit të Prokurimit në MIE, Fitim Mustafa dhe dy Sekretarët e Përgjithshëm, Demush Shasha e Kushtrim Cukaj të cilët kanë iniciuar dhe zhvilluar këto procedura tenderuese megjithëse kanë qenë në dijeni se kërkesat e ministres ishin në kundërshtim të plotë me ligjin. Në këtë akt akuzues është i përfshirë edhe Nuhi Osmani, i cili dyshohet se si UD i Sekretarit të Përgjithshëm në MIE ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Majorelle PR and events”, të cilës i ka mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë prej 180 mijë eurosh!. Katrahurat e vendimeve të tilla, nga gjykatat kaotike të Kosovës, duhet të vendosen të parat në ranglistën e aktvendimeve të dyshimta, për tu hetuar urgjentisht, qysh në fillim të zbatimit të ligjit Vetting, si rastet të paketuara me krim e korrupsion, që pa një-pa dy, përfundojnë të amnistuara!?

Përndryshe nuk guxon të ketë asnjë arsyetim ngritja e aktakuzave, vetëm sa për të bërë zhurmë e pompozitet, me arsyetimin fals, se kinse po bëhet luftë e pa kompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar, kur në fund të gjykimit, secili proces përfundon me zero rezultat, duke dështuar, qëllimisht, apo përfunduar aktgjykimet me lirim, në këmbim të përfitimeve materiale, nga personat e akuzuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".