Kur kërset pushka, pushon pleqëria!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Sulmi terrorist në veri nga i cili u vra një polic shqiptar dhe një tjetër u plagos e shtron nevojën e reflektimit pozitiv për drejtuesit shtetërorë dhe partiak, por edhe për secilin qytetar të vendit tonë. Përfundimisht Kosova duhet ta ndërrojë çasjen ndaj dialogut dhe t’i kthehet mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë.
Situata e jashtëzakonshme kërkon mobilizim të përgjithshëm
Mobilizimi i përgjithshëm duhet të ndodhë në të gjitha nivelet politike dhe ato të sigurisë. Çfarë dëshirojë të themë me këtë?
Duhet shfrytëzuar ky momentum i krijuar pas sulmit terrorist në veri që t’i hiqen kufizimet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) për kalim në pjesën veriore, jo vetëm për ta mbrojtur integritetin shtetërorë, por për ta ndihmuar Policinë e Kosovës për ta kthyer në plotni sovranitetin e shtetit në tërë territorin e vendit.
Shtimi i forcave në veri dhe bashkrendimi i Policisë së Kosovës me FSK-në do ta zvoglonte në minimum mundësinë e sulmeve terroriste në veri. Me të gjitha mjetet dhe forcat duhet parandaluar gjakderdhjen e mëtutjeshme në veri.
Pas sulmit të orkestruar në veri, nuk ka më asnjë logjikë të bisedohet me Vuqiqin në Bruksel dhe as të kërkohet njohje nga Serbia.
Për shkak se kemi derdhur mjaft gjak për tokën e vendit tonë, nuk kemi djem për të humbur në veri dhe kush kërkon gjak shqiptari duhet ta merr përgjigjen e merituar siq e moren terroristët nga forcat policore të Kosovës.
Vetëm me unifikim të forcave të sigurisë mund të parandalojmë sulmet tjera eventuale të Serbisë ndaj Kosovës.
Andaj pa humbur kohë, presidentja e vendit duhet t’i kërkojë gjeneralit të NATO-s dhe komandantit të KFOR-it heqjen e kufizimeve për FSK-në në ushtrimin e obligimeve kushtetuese në veri.
Vetëm në këtë mënyrë jo vetëm që do të parandalohen dhe pamundësohen sulmet dhe aktet terroriste ndaj forcave policore, do të evitohet një herë e përgjithmonë eskalimi i situatës në veri.
Përgjigja profesionale e Policisë së Kosovës neutralizojë forcat terroriste
Vrasja e pjestarit të Policisë së Kosovës, Rreshterit Afrim Bunjaku ishte një goditje e rëndë për familjarët dhe gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për kolegët e tij, e cila u kthye në burim frymëzimi për t’i luftuar deri në fund bandat terroriste serbe.
Pavarësisht humbjes së pjestarit të devotshëm të Policisë së Kosovës, të këtij mbrojtësi besnik të atdheut, nga kjo situatë duhet të dalim më të fortë dhe më unik në veprimet tona. Kërkohet unifikim dhe përgjegjësi më e lartë politike dhe shtetërore, për t’i bërë të qarta kërkesat tona bashkësisë ndërkombëtare për shtrirje të plotë të sovranitetit në veri.
Duhet përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizmin, përformancën dhe guximin, për gatishmërin deri në vetflijim për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.
Mirëpo, kur janë në pyetje kushtet dhe benefitet që duhet t’i gëzojë Policia e Kosovës me ketë gatishmëri të lartë për vendin, duhet të turpërohen të gjithë politikanët dhe deputetët!
Policët me paga të ulëta (1/4 e pagës së deputetit apo ministrit), pa sigurime shëndetësore pa shujta dhe pa asnjë benificion shtesë për shkallën e rrezikshmërisë, duhet të jenë pika reflektimi për të gjithë politikanët në këtë ‘Ditë Zie’ për Rreshterin Afrim Bunjaku.
Nuk mjafton vetëm ta shpallin dëshmorë apo hero të vendit, por pas rënjes së tij duhet të vazhdojë përkujdesja dhe mbështetja e përhershme financiare për familjen e tij!
Dialog për veriun vetëm me SHBA-të dhe shtetet e Bashkimit Evropian
Kritikat dhe sugjerimet e analistëve politikë duhet t’i shërbejnë kryeminstrit dhe secilit akterë tjetër të politikës për përmirësim dhe meditim, sepse sa më shumë që e lëvdojmë kur ai gabon, e dëmtojmë më shumë të ardhmen e tij politike dhe të shtetit të Kosovës në veçanti.
Pas sulmit të orkestruar në veri, nuk ka më asnjë logjikë të bisedohet me Vuqiqin në Bruksel dhe as të kërkohet njohje nga Serbia. Dialogu për zgjidhjen e problemit në veri duhet të bëhet vetëm me partnerët tanë strategjik, gjithnjë duke e respektuar Kushtettutën dhe sovranitetin e vendit.
Lavdi dëshmorit Afrim Bunjaku, shpirti i tij u bëftë dritë e lirisë sonë!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".