
Lexoni edhe:
Deklarata e Osmanit përmban një kritikë të qartë ndaj mënyrës së qeverisjes së Albin Kurtit
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Kur paralajmërimet vijnë nga aleatët që kanë qenë themeli i shtetësisë së Kosovës, ato nuk mund të trajtohen si zhurmë e zakonshme politike. Ato duhen lexuar si sinjale strategjike për drejtimin që po merr shteti. Pikërisht në këtë kontekst duhen parë edhe deklaratat e fundit të presidentes Vjosa Osmani për diskutimet rreth sanksioneve të mundshme ndaj anëtarëve të Qeverisë Kurti, të cilat kanë nxjerrë në sipërfaqe një realitet që për një kohë të gjatë është trajtuar me heshtje institucionale: raportet e Kosovës me aleatët perëndimorë kanë kaluar nëpër një prej fazave më të ndjeshme që nga shpallja e pavarësisë.
-Kur presidentja flet për paralajmërime konkrete “me emra e mbiemra”, ajo nuk po përshkruan më një mospajtim të zakonshëm diplomatik. Ajo po lë të kuptohet se në qarqe të rëndësishme perëndimore janë shqyrtuar seriozisht masa ndëshkuese ndaj përfaqësuesve institucionalë të Kosovës dhe se përplasja me partnerët strategjikë ka qenë reale, jo hipotetike.
Për një shtet si Kosova, kjo nuk është çështje e zakonshme politike. Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët euro-atlantikë nuk përbën vetëm një orientim diplomatik, por vetë boshtin mbi të cilin është ndërtuar siguria, subjektiviteti ndërkombëtar dhe perspektiva shtetërore e vendit. Pikërisht për këtë arsye, çdo tension me aleatët nuk mbetet në kufijtë e retorikës partiake; ai prek drejtpërdrejt interesin strategjik të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, pjesa më domethënëse e deklarimeve të Osmanit nuk qëndron te vetë paralajmërimet për sanksione, por te dallimi që ajo bën ndërmjet legjitimitetit të veprimeve dhe mënyrës së zbatimit të tyre. Duke thënë se i ka mbrojtur veprimet e Qeverisë si legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën, por jo mënyrën “e pakoordinuar” të realizimit, presidentja artikulon ndoshta kritikën më serioze institucionale ndaj qasjes së Albin Kurtit në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Natyrisht, edhe Qeveria Kurti ka argumentuar vazhdimisht se veprimet e saj në veri kanë pasur për qëllim shtrirjen e rendit kushtetues dhe forcimin e sovranitetit të shtetit. Ky është një objektiv legjitim i çdo qeverie. Debati, megjithatë, nuk duket se ka qenë rreth qëllimit, por rreth ritmit, metodës dhe koordinimit me partnerët strategjikë që kanë mbështetur Kosovën në momentet më vendimtare të historisë së saj.
Në thelb, mesazhi i presidentes është i qartë: problemi nuk ka qenë domosdoshmërisht te përmbajtja e vendimeve politike, por te mënyra se si ato janë ndërmarrë pa koordinim të mjaftueshëm diplomatik me aleatët strategjikë të Kosovës. Dhe pikërisht këtu nis problemi real i një shteti të vogël që funksionon në një arkitekturë të ndërlikuar gjeopolitike.
Në diplomaci nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë. E drejta politike dhe juridike humbet peshë kur mungon mençuria strategjike. Për shtete të konsoliduara, moskoordinimi mund të jetë një kosto e menaxhueshme; për Kosovën, ai mund të shndërrohet në kosto shtetërore.
Prandaj, deklarata e Osmanit se “pasoja do të paguhej nga Republika e Kosovës” është ndoshta fjalia më alarmuese e gjithë këtij debati. Ajo nënkupton se shqetësimi i aleatëve nuk ka qenë vetëm ndaj individëve të caktuar, por ndaj kursit politik dhe mënyrës së komunikimit institucional të shtetit të Kosovës. Në terma praktikë, kjo do të mund të nënkuptonte izolim diplomatik, pezullim të mbështetjes në procese kyçe ndërkombëtare, ngadalësim të integrimeve euro-atlantike dhe dobësim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës në një moment të ndjeshëm gjeopolitik.
Në këtë kontekst, deklarata e mëhershme e Osmanit se “nuk luhet bixhoz me politikën, diplomacinë dhe shtetet mike të Kosovës” sot merr një dimension krejt tjetër. Ajo nuk tingëllon më si retorikë politike, por si një paralajmërim institucional që kishte ardhur shumë më herët sesa opinioni publik e kishte kuptuar.
Kosova tashmë ka kaluar për më shumë se dy vite nën masa kufizuese dhe në një periudhë ftohjeje të raporteve me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Kjo dëshmon se tensionet diplomatike nuk kanë qenë trillim opozitar apo propagandë politike, por një realitet që është menaxhuar më shumë në prapaskenë sesa me transparencë publike.
Nga ana tjetër, edhe vetë presidentja duket se ka tentuar të ruajë një ekuilibër të vështirë politik: të mbrojë sovranitetin dhe ligjshmërinë e institucioneve të Kosovës, por njëkohësisht të shmangë një përplasje të drejtpërdrejtë me aleatët strategjikë të vendit. Mirëpo, politika kosovare vazhdon të vuajë nga një problem i vjetër: çdo paralajmërim institucional interpretohet si sulm politik, ndërsa çdo kritikë ndaj mënyrës së qeverisjes shihet si tradhti.
Por shtetet serioze nuk maten vetëm nga aftësia për të marrë vendime të forta. Ato maten edhe nga aftësia për t’i koordinuar ato me aleatët që kanë mbështetur ekzistencën dhe konsolidimin e tyre ndërkombëtar.
Historia e Kosovës e ka dëshmuar qartë një të vërtetë politike dhe diplomatike: sovraniteti nuk mbrohet përmes izolimit, por përmes partneritetit strategjik, mençurisë shtetërore dhe koordinimit institucional. Sepse në diplomaci, siç thotë populli, “sot merr në thua, e vitin tjetër rrëzohesh”, dhe kur rrëzohet shteti, kostoja është shumë më e madhe sesa fati i një qeverie.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".