Diplomacia fluturuese evropiane në relacionin Prishtinë - Beograd vendimtare për fatin e marrëveshjes finale

Diplomacia fluturuese evropiane në relacionin Prishtinë - Beograd vendimtare për fatin e marrëveshjes finale
Diplomacia fluturuese evropiane në relacionin Prishtinë - Beograd vendimtare për fatin e marrëveshjes finale

Gani Qarri

  • 07 November 2023 - 16:50

 Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Vizita e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak, me kaq shpejtësi në Kosovë, pritet të jetë vendimtare për të ndërmjetësuar mes spektrit politik të Kosovës dhe tejkaluar dallimet lidhur me propozimin evropian të draftit për asociacionin, që në takimin e fundit të mbajtur më 26 tetor, në Bruksel u është prezantuar krerëve të dy shteteve dialoguese, Kosovës dhe Serbisë , e për të cilin, pak ditë më parë, u zhvillua një debat mjaft i tensionuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

 

Siç u pa, Lajçak erdhi me një agjendë të ngjeshur për takime me të gjithë liderët e partive politike, me ç`rast u takua me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë. Në Prishtinë ai erdhi vetëm dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel , ku kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan ndaras me liderët e Gjermanisë, Francës dhe të Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit Evropian duke marrë me vete draftin e propozuar nga BE për modelin evropian të Asociacionit, por që megjithatë, të dyja palët nuk kanë dhënë detaje rreth përmbajtjes së këtij dokumenti. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka theksuar se mosmarrëveshja e vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka mbetur një sfidë për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ndaj kjo situatë duhet të tejkalohet me fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit sipas aneksit të Ohrit, ku parashihet në pako njohja de-fakto e Kosovës nga Serbia dhe zgjidhja për Asociacionin. Kurse pas propozimit më të ri, Kosova duket të jetë në pozitë që më në fund ta jep edhe ajo versionin e vet të propozimit për një zgjidhje të pranueshme, nëse drafti i BE-së nuk është plotësisht i finalizuar dhe i harmonizuar me ligjet dhe kushtetutën e shtetit të Kosovës! Sipas QKSS komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani presin që Kosova të ndërmarrë hapat e nevojshëm për themelimin e Asociacionit, kurse Serbia të ndërmarrë veprime konkrete për njohjen de facto të pavarësisë së Kosovës, si dy parakushte për stabilitet dhe normalizim të raporteve ndërshtetërore të dy vendeve. Dhe me qasjen e re, QKSS thekson, se Qeverisë së Kosovës i rekomandohet që të paraqesë një projekt-statut për themelimin e Asociacionit, njëkohësisht me Serbinë, për të zyrtarizuar njohjen de facto të Kosovës, ndërsa BE dhe NATO, duhet të ofrojnë perspektivë të qartë për anëtarësimin e Kosovës në BE përmes statusit të vendit kandidat dhe pranimin në NATO, përmes Planit të Veprimit për Anëtarësim.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".