Kosova të nisë menjëherë punën për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe

Kosova të nisë menjëherë punën për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe
Kosova të nisë menjëherë punën për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe

Florim Zeqa

  • 17 December 2024 - 07:06

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Mendoj se Kosova, pa humbur kohë, duhet të fillojë menjëherë punën për miratimin e draft-statutit evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si një hap i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca dhe Italia.

 

-Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu Kosovë-Serbi, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, do të jetë kërkesa kryesore për të dyja vendet, sipas konkluzioneve të draft-dokumentit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Pa marrë parasysh tensionet e fundit në veri dhe mosmarrëveshjet historike mes dy vendeve, është e mundur që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e dala nga dialogu, dhe atë pa vonesa, pasi nuk ka zgjidhje përfundimtare paqësore pa kompromise mes dy vendeve dhe popujve që kanë pasur një konflikt të gjatë mes tyre.

Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të nisë menjëherë punën për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pavarësisht kundërshtimeve dhe ndasive që ka ngjallur kjo çështje brenda spektrit politik vendor dhe më gjerë, për faktin se kjo është një rekomandim i miqve dhe aleatëve tanë strategjikë. Ata që na ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit tonë, pa të cilët Kosova nuk mund ta projektojë të ardhmen e saj të suksesshme dhe të integrimit euro-atlantik.

Çdo kundërshtim dhe mospërfillje e rekomandimeve të miqve mund të na kthehet bumerang, duke çuar në vazhdimin e sanksioneve dhe heqjen e tërësishme të mbështetjes për Kosovën, si dhe mundësinë e humbjes së mbështetjes për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Nuk besoj se situata e tensionuar në veri të Kosovës, përfshirë incidentin në Zubin Potok, do të ndikojë negativisht në ecurinë e dialogut dhe përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, po që se të dyja palët aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pavarësisht pozicionimit të Serbisë, ne duhet të bashkrendojmë veprimet me SHBA-në dhe shtetet e Bashkimit Evropian, duke i përfillur në plotni rekomandimet e tyre, përkatësisht konkluzionet e Draft-Dokumentit të Zgjerimit që ka përgatitur BE-ja, i cili dokument pritet të hidhet për miratim më 17 dhjetor në takimin e ministrave të BE-së.

Kjo është rruga më e drejtë për Kosovën, për të zgjidhur një herë e mirë problemin e veriut dhe për të mbyllur armiqësitë historike me fqinjin verior, me garanca të fuqishme dhe të përhershme ndërkombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".