
Lexoni edhe:
Kosova është e vogël dhe nuk ka çfarë ndan, as të japë e as të marrë prej askujt
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Votat e Mërgatës nuk janë aq numerike, sa janë menduar. Madje, shumë prej tyre janë seleksionuar dhe refuzuar si të pavlefshme! Sigurisht, nuk janë në përmasën kur shefe e KQZ ishte Valdete Daka, e cila skarcoi 72 mijë zarfa emërorë! Vendimi i KQZ, ndoshta me koordinim me shtetarë dhe pushtetarë, që të përjashtohen nga e drejta e votimit të gjithë ata që kanë humbur shtetësinë e Kosovës, ka privuar shumë mijëra shqiptarë të Kosovës, përfshirë një pjesë të madhe të rinisë. Republikat Federale në Gjermani kanë statutet e tyre dhe pavarësinë e vendosjes për marrjen e shtetësisë vendore, gjermane. Flas për Gjermaninë, sepse si veprimtar i Mërgatës, kam qenë i involvuar në heqjen e kushtëzimit për marrjen e shtetësisë. Republika e Bavarisë, respektivisht partia CSU, fraksion i CDU, për marrjen e shtetësisë gjermane, kushtëzonte jo vetëm lënien zyrtare të shtetësisë të Kosovës, por edhe atë të Serbisë, edhe pse të rinjtë shqiptarë kurrë nuk e kishin pasur! Një cinizëm mujor dhe përçmues!
Kosova është e vogël dhe nuk ka çfarë ndan, as të japë e as të marrë prej askujtLexoni edhe:
Lënia e shtetësisë serbe kishte një procedurë burokratike dhe të mundimshme. Ecejakët në Beograd, angazhimi i avokatëve të kushtueshëm, akomodimi pritës atje, ishin të kushtueshme me ditë të humbura dhe me mijëra euro shpenzime. Personalisht, bëra një letër publike, duke akuzuar partinë në pushtet që nga viti 1954, në Bavari, CSU, se është simotër e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe po i torturojnë shqiptarët e Kosovës. Një deputet i CDU të Angela Merkelit reagoi dhe kërkoi llogari se ke përfaqësoj unë, duke shtuar se CSU ka aprovuar bombardimin e Serbisë dhe se akuza nuk qëndron, është fyese për gjermanët. U mundova ta thjeshtoj, duke thënë se nuk jam zyrtar, jam gazetar, kryetar i LDK-së për Republikën e Bavarisë, anëtar i Kryesisë të kësaj partie në Gjermani dhe delegat i Kuvendit të LDK-së në Kosovë.
U detyrova ta tërheq, madje publikisht, krahasimin e bërë të CSU gjermane me SPS të Serbisë, por duke e justifikuar gjendjen time emocionale, për maltretimin e bashkëkombasve të mi për kushtin e heqjes së një shtetësie imagjinare. Njëherësh, rendita arsyet pse shqiptarët kërkojnë shtetësinë gjermane: pa shtetësinë gjermane, nuk mund të shkollohen në disa shkolla të veçanta profesionale, në disa fakultete, dhe as nuk mund të punësohen në disa ndërmarrje dhe institucione të veçanta shtetërore.
Pastaj organizuam edhe protesta, të nismuara nga Shoqata e zëshme Shqiptaro-Gjermane "Sali Çekaj" në Bavari, me simotrat e saj; u angazhuan edhe zyrtarisht Kryekonsulli në Mynih, Afrim Nura, deputeti i të Gjelbërve gjerman, Deli Balidemaj, nga Martinaj i Gucisë. Më në fund, kushtëzimi bavarez u hoq dhe u pranua dy shtetësia në bastionin konservator gjerman. Ndërkohë, Prishtina zyrtare vazhdon t’i lërë pa shtetësi dhe pa të drejtë votimi shumë mijëra shqiptarë të Kosovës! Edhe pse shtetarë, pushtetarë, deputetë dhe zyrtarë të lartë të Kosovës, posedojnë dy dhe tri shtetësi, të paktën dy të huaja.
Rrjedhimisht, nuk besoj që me votat e Mërgatës dhe të pakicave tjera, LVV do të mund ta sigurojë mandatin e plotë për ta përmbushur agjendën e saj ambicioze. Vlen të theksohet se arsyeja e abstenimit masiv të mërgimtarëve në votim ka qenë lëndimi dhe abuzimi i votës së mërgimtarëve. Formularët e komplikuar dhe burokratikë, dërgimi postar në Kosovë, më i kushtueshmi në botë, dhe skarcimet e qëllimshme, të cilat dirigjoheshin nga kreu i shtetit, sepse mendohej se përfitonin parti të veçanta.
Sipas statistikave jo të kompletuara, mendohet se gjysma e popullatës jeton jashtë Kosovës. Nëse në Kosovë votojnë afërsisht 800 mijë qytetarë, atëherë si ka mundësi që kanë votuar më pak se 100 mijë mërgimtarë?! Përndryshe, Ministria e Diasporës e ka zgjidhur mrekullisht mirë problemin e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke mundësuar tri mënyrat e votimit, përfshirë edhe atë më të lehtën dhe më të lirën, votimin me postë, në adresën e ambasadës apo të konsulatës më të afërme nga vendbanimi.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".