Dialogu Kosovë-Serbi nuk kërcënon luftën Rusi-Ukrainë

Dialogu Kosovë-Serbi nuk kërcënon luftën Rusi-Ukrainë
Dialogu Kosovë-Serbi nuk kërcënon luftën Rusi-Ukrainë

Gani Qarri

  • 21 February 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Sa i takon Ukrainës, ajo nuk është ftuar të jetë, as e pranishme në bisedimet e SHBA-ve me Rusinë, andaj pa marrë parasysh propozimet e z. Hegseth mbi zhvillimet në Ukrainë, Kosova përfaqësohet vet në bisedime dhe megjithëse emisarin e ri e pret një punë jo e lehtë e ndoshta edhe me vështirësi të theksuara në ristartimin e dialogut, nëse emisarit Sorensen i ofrohet mbështetje adekuate, e SHBA dhe BE angazhohen seriozisht dhe mbajnë qëndrim të paanshëm, nuk përjashtohet mundësia, të shënohet përfundimisht, përparim pozitiv, në bisedimet Kosovë-Serbi.

-Megjithëse z.Serwer thotë që ndarja e Ukrainës siç propozon Hegseth, do të ketë ndikim dramatik në Ballkan, me ç`rast edhe Serbia mund të provojë të marrë territor nga Bosnja e Hercegovina dhe Kosova, një gjë dihet mirë se Serbia, nuk është Kinë as Rusi dhe trupat amerikane as ato evropiane, nuk mund të rrezikohen nga Serbia, nëse faktori ndërkombëtar, përkundër qëndrimit tepër të butë, të treguar deri tani ndaj Serbisë, nuk i lejon vet sulmet, apo jep sinjalasaj edhe për agresionin ushtarak, e cila disa herë ka vendosur në pozicione lufte ushtrinë përgjatë kufijve me Kosovën, por është tërhequr me bisht nën shalë, kur SHBA ka kërkuar tërheqjen ushtrisë, nga afërsia me Kosovën.

Emisari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, pas marrjes së detyrës nga paraardhësi i tij Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar edhe bisedat e para me kryenegociatorët e të dyja vendeve, dhe sado që nuk ka dhënë hollësi rreth bisedave, ai i ka vlerësuar të mira takimet me ta dhe tani pret edhe ftesat për t’i vizituar Kosovën dhe Serbinë, si parapërgatitje për rifillimin e dialogut.

Sa u takon trupave ushtarake amerikane, që nga vendosja në vendin tonë, ato nuk kanë qenë asnjëherë të rrezikuara edhe dialogu Kosovë Serbi është i një rangu shumë më të kufizuar, i takon një niveli rajonal dhe ka përmbajtje dhe përmasa krejt tjera, nga lufta Rusi-Ukrainë.

Për fat të mirë, çështja e dialogut Kosovë-Serbi ka të bëjë vetëm me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, dhe jo me fenomenin e ndalimit të luftërave që kërcënojnë sigurinë globale dhe konfrontimin ushtarak të dy superfuqive botërore NATO-Rusi.

Jo-lufta Kosovë Serbi, i takon të kaluarës dhe procesit të shpërbërjes së ish federatës jugosllave, për çlirimin kombëtar të Kosovës nga okupimi serb, ku dihet mirëfilli se ne, as si popull dhe as si territor, nuk i takonim këtij konglomerati gjuhësor, nacional as politik, ndaj me gjithë shqetësimet e shprehura nga Profesori amerikan dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, mbi qëndrimet e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hesgeth, lidhur me luftën në Ukrainë dhe integritetin territorial ukrainas, çështja e Kosovës dhe bisedimet me Serbinë, janë dy çështje diametralisht të ndryshme, që nuk mund të krahasohen as të lidhen me njëra tjetrën, në asnjë mënyrë, e mbi të gjitha dialogu Kosovë-Serbi nuk përbën kërcënime të përmasave të luftës Rusi-Ukrainë, ku dy superfuqitë ndodhen me armë të ngrehura, dhe presin urdhrin për të nisur luftën kundër njëra tjetrës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".