Tërheqja e trupave amerikane do të jetë me rreziqe të mëdha

Tërheqja e trupave amerikane do të jetë me rreziqe të mëdha
Tërheqja e trupave amerikane do të jetë me rreziqe të mëdha

Florim Zeqa

  • 25 February 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Në rast se tërhiqen trupat amerikane nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor, pasojat do të jenë të mëdha dhe zinxhirore për vendin tonë. Për shkak se një tërheqje e mundshme e trupave amerikane do të ndikojë në sigurinë e tërësisë territoriale të Kosovës dhe në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe vendeve të NATO-s, veçanërisht me shtetet që janë të shqetësuara për ndikimin e Rusisë në rajonin e trazuar të Ballkanit.

 

-Bisedimet e filluara amerikano-ruse në Riad, përveç ndërprerjes së luftës në Ukrainë, nënkuptojnë të ardhmen e forcave ushtarake amerikane në Evropë dhe për rolin e SHBA-së në mbështetje të aleatëve të saj në Ballkan, i cili assesi nuk do të jetë siç ishte më parë, ashtu siç nuk do të jetë numri i forcave paqeruajtëse në Kosovë!

Për shembull, Italia është duke u përgatitur dhe duke e pritur me padurim tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova për t’i bërë edhe ata të njëjtën gjë.

Kjo do të thotë se italianët dhe aleatët e tjerë evropianë nuk do të qëndrojnë të barrikaduar kundër mikut të tyre, Putinit dhe Serbisë së Aleksandar Vuçiqit.

Në asnjë rrethanë të re gjeopolitike, shtetet evropiane nuk do të përballen me ushtrinë serbe për interesa të shqiptarëve të përçarë mes vete.

Nuk do të shohim më përballje të trupave të KFOR-it duke u përballur me bandat kriminale në veri, e aq më pak me ushtrinë e Serbisë!

Megjithëse presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa, negociatat amerikano-ruse janë duke u pritur me shqetësim të madh nga shumë vende të kontinentit tonë, por jo edhe nga politikanët kosovarë, të trullosur pas pushtetit në gjysmë shtet!

Për tërheqjen e trupave amerikane është folur edhe më herët, por tani kjo po shihet si mundësi reale, e cila për Kosovën mund të jetë fatale!

Për dallim nga vitet 1998-1999, kur kishim një ushtri më tepër guerile sesa të organizuar në aspektin e mirëfillt (UÇK), kishim një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, kurse sot kemi një Ushtri të Kosovës (FSK) më të konsoliduar dhe më të fuqishme në aspektin logjistik, por nuk e kemi mbështetjen e duhur ndërkombëtare për përballje eventuale ushtarake me Serbinë.

Për këtë arsye, tërheqja eventuale e trupave amerikane nga Kosova do të jetë e komplikuar dhe me rreziqe të mëdha për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".